VALLJA E TROPOJËS Dolën prej shkëmbi a pikën prej qielli Pluhur a mjegull ku mbeti vallë dielli Edhe zogjtë e malit prenë këngën e gojës Bam e bum kur nisi... Vallja e Tropojës Shkrepa e kreshta... stepën e u rrudhën lisat Trimat e bajlozat heshtën E dukēshin vetem plisat U zgjuan legjendat... zanat... shtojzovallet E bam e bum tupani në valle hynë dhe malet Vashat hidhen lartë donë t'a kapin diellin Burrat tundin tokēn e dridhin edhe qiellin Çahet edhe bjeshka e digjet logu i lojës Kur merr flakë e dhezet...Vallja e Tropojēs POEZI PATRIOTIKE Krejt atdheun... e morën kraheqafe Se ishin të zotët... se kishin qafë gjirafe Dhe populli prapa u shkonte si krushk Prisnin diamante... gjirafa dhjente dushk.... LETËR MIGJENIT NË VARR... Asgjë s'ka ndryshuar... i dashur Migjen Bashkë me vargjet tua varri s'po na zën Jeta në fije të holla e vargjet shumë të rënda Një shekull pas... as varri s'na lë brenda... OH... Krejt zhele zhele i kam bërë ca fjalë Disa fjalë dhimbje që i grija me dhëmballë Për ju o miq që nuk jeni gjallë... Shtrydhej një fjalë e loti ndalej në mjekërr Për ju që vdiqët të ri Miqtê e mi të vjetër... VRASJA E DYTË... Ç'tradhti o Zot... ç'marrëzi A dyjat katarrosh Me njëqind plumba përtokē të kanë shtri Dhe në tē pamën tënde Ulën për kryeshëndoshë... KOT MUROSĒM GRA... Kot murosëm gra... ndër ura e kala Dhe rritëm jetimë me tambël prej guri Dhe Kënga për Rexhën sa bjeshka u ba Dhe ende dalin dreqër Nga ai bark prej druri... KËNGA PËR NJË KËNGË... Tash e njëqind vjet Krushqit rrethit malit Edhe, Rexha i Lokës Tek vithet e kalit Herë ndërrohën këngëtarët E re shkruhet kënga... Po gjithëmonë e njejtë Tradhtia edhe dhembja... VJERSHA E VJERRUR MBI V... Vajin e vrarë të vashave... e vranë Vranë vreshtën e vjelur... vjeshtën e verbuar Vargjet i vranë dhe vjershat Vajtorët e vjetra... duke vajtuar Të vdekurit ndër varre i vranë Edhe vëllanë Vranë vitin e vonuar... Vrafshin veten vrafshin Vrasësit e vërbuar...
LUTJA IME... URIMI IM... Aty ku mungon sonte ndonjë Zbrite o Zot një ëngjëll ti Në sytë tonë te mirë mos le më lot Bukën e përditshme falna edhe n'mot E lirë le te endet Liria
Mjaft më... gjak e lot... E BANI ME VAJ DHE QIELLIN... ( Për të madhen Fatmira Breçani ) Tek Liqeni i Zanave vashat ndalën vallën E prapa Gurit të Shpuem Halili pyet legjendat Kalave sot pse u lëkundën bedenat Kroje e currila pse shtyhen mes veti Ku të mbytën diku në Valbonē a n'gjeti As dallgët me turr pse s'po i gjuan deti Edhe zogjtë e malit tek erdhen prej Deçani Kur e nisi kēngën Fatmaira Breçani... Dita e nata thonë nuk donin me u nda Pëllumbat u kurthuan atje pēr hava Valbona shtyente valēt E valēt s'rrinin brenda Valēt e Valbonën i ka shitue kënga... Zhdirgjet historia malit edhe fushës Me atë zë tiskë bash si krismë e pushkës As syzeza më nuk kjante mbi dērrasē veku Pas shtatë bjeshke thonë qenka shkri orteku U hutuan lisat u rrënqeth krejt mali E bani me vaj qiellin... Fatmira Breçani... Shkruani një mesazh...
SI LUTJE... Ma gjeni një vend e më bëni meit Më zgjoni pastaj Kur të çlirohemi krejt... Kur të më zgjoni Veshmëni si dhëndërr Por mos më thoni Ende jemi ëndërr... QENKA ZHDJERGUR BJESHKA Kur i morëm këmbët ishte ende tym Kam ecur si hije mbi skeletin tim Tè kam lënē në varr... vallëzova përmbi ty Po m'i kanē pështyrë fytyrën me gjithë sy Krejt stinët tash dergjën përmbi mua Gjak pikon çdo gurrë e çdo krua... Qielli pikon gjak vjeshta edhe vreshta E ku nuk pikon gjak... Ec e gjej dy rrjeshta... E ti më thua Qenka zhdjergur bjeshka As një zog për be Nuk po ta zë vjeshta... PËR VJERSHAT E MIA... Si kalit të egër... në qafë i rrija vjeshtēs Bukurinë e vodha... krejt ia fala vjershēs Netëve të zeza kur më dilnin në pritë Vetë rrija në terr... ato i qita në dritē (Sa shumë kam kënduar Kur ishte e ndaluar...) Ngapak i shkreti kam vdekur çdo ditë Atyre u kam dhënë shpirt... Një jetë të tërë me shpirt nēpër dhëmb Mes dimërash i ngujuar atyre u dhashë këmbë I qita mbi mua... i qita përmbi re Si pēllumba të egër tash Shprushin stinë të re... BILBILI U trishtua i gjori se iku kjo verë Tash vajin edhe këngën e marrin ca tjerë Sorrëshkina e korba e kukuvajka Që ndjellin sall kob... këngës i bëjnë lajka Na la gojëhapur në sqep e mori verën Bebëzat e qiellit i shprishte sikur erën Do të gjej ai vend do t'a gëzojë këngën Si furtunë si shi neve na e la dhëmbjën Kokën e la pas...mbrapa i mbetën sytē Kush i këndon kobit... i plaçin të dytë...
FURTUNË NËPËR KOSOVË Pas shiut të madh Tjera re të zeza Më mbyllën në shtëpi Sa keq kur nga dritarja Shikon vetem zi S'i kam frikë rrufetë As nuk më trembin retë Të zezën e urrej Kur kotet mbi këtë jetē As verē nuk bëj me gojë Derisa të del ylberi Ne myku na mbuloi...
MES DËSHMORËSH ( Me rastin e ri-varrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit. ) Kur flini ju të qetë Natën shihen zjarre Kur gjakun tuaj e fshinë Ne u kthyem në varre Si Zezonë të re e sollen hatanë Juve u prenë në besë Ne krahet na i thanë As vend pēr varr... s'na lanë Askund një copë diell Për ne Asnjë ditë e mirë... ( Hala hekur hanë me dhemb ata Se janë të shtirë..) Veç sillet e sillet dhembja "Për krushqit e ngrirë..." KUR IKIN ZOGJTË Kur ikin zogjtë e rrallohën poetët Mjerë ajo stinē që pa këngë mbetët Dielli e hëna e kanë lidhur kokën Të përgjakur kështu kur e shohin botën Lotët e qiellit do t'a zhbirojnë tokën... LETËR NËNËS NË VARR Kur tē vdesim ne.. do të ngjallën të vrarët Malēt do të zhdjergën ...do tē dēshmojnë Malet... Qysh u vranë ata... Qysh po vdesin të gjallët... Nënë moj nënē Nënën na e kajtën të marrēt... ZINXHIRI ME GJAK Një zinxhir i ndryshkur e i larë me gjak Këmbë e duar na i lidh... thuajse merr hak Si dimer i egër kacavjerrë përjetē Frymēn po na e zë ky zinxhir i shkret Aq thijas kraheqafe Që e lidhëm vetē...
Poezia e Naim Fetajt lidh nyjat e kujtesës autoriale mē parë se në figura e diskurs, në biigrafi e histori njerzish që perfaqësijnë, ashtu siç gjërat i përfaqësojnë njerëzit kur ata nuk janë më. E lidhur me traditën e poezisë së Kosovës, ne vargje të përqendruara dhe në ligjërimin e prerë ambiental, kjo poezi hapet në semantikën dhe në rrjetin e asocimeve poetike përnjēherē dhe direkt. Lidhja me biografi njerëzish, e bënë atë poezi mimetike të rastit e të perkushtimit, shenja këto që shenojnë të folur më parē kolokvial, se të lidhur në qerthuj semantikë të përthellë. Vetë figurat e kujtuara, edhe pa u bërë ligjërim e zbulojnë një ideilogji të shkrimit që s'do të bëhet politikë e shkrimit, por ligjerim i lidhur me figurat e mëdha apo me figurat e shpirtit. Fetaj kujton, sepse është i kujtueshëm, pastaj bjen tek elegjia, sepse kujtimet i ka të rënda. Një elegji e shkruar në liri, është poezi që zbulon shpirtin dhe rrezaton butësi përballē egërsisē. ( Kujtim Shala, për poezitë e vëllimit të dytë " Terrinē përtej diellit", Prishtinē, 2013 )
Shkruan: Maxhun OSMANAJ Në vend të biografisë Poeti Naim Fetaj(1961), i shfaqur në sofrën e pasur letrare tash e katër dekada, nuk ka vrapuar pas vëllimeve të shumta poetike,por me tre librat poetikë; ’’Yjet bëjnë rojë" (1987) i nderuar me çmimin’’Hivzi Sulejmani’’, si libri më i mirë i autorëve të rinj, ‘’Terrinë përtej diellit’’ (2013) i nderuar me vendin e parë në konkursin tradicional letrar ‘’Azem Shkreli për mërgatë’’ në Gjermani, dhe vëllimi i fundit poetik’’Vezullimë thinjash’’ (2015) ,ka krijuar një themel të fuqishëm,të padiskutuar vlerash estetiko-letrare.Përballë një plejade të poetëv të viteve ‘8o-të, Fetaj sjell një origjinalitet paksa specifik,then tabu dhe klishe të mëparshme, sjell një zë sa original aq autentik, sa i kursyer, aq i thjeshtë i mbarsur me një filozofi që mjeshtrisht lidh kohën-historinë me dramën kolektive të popullit shqiptar.Zëri i poetit është dhembje,është mall, është këshillë,është herë-herë kushtrim,por në tabanin e arealit krijues, mjeshtria proverbial e percjell cdo poezi.Shkurt, poezia e tij është burrërore, elegjiake-epike, po edhe lirike. Takim me poetin - poezinë E njoha para më shumë se tri dekada e gjysmë, qoftë fizikisht si student letërsie, por më shumë si krijues. Më shpesh u takova me vargun e tij, sesa fizikisht, ngase në’’ trokitjet’’ e para poetike hynte në portën e madhe të poezisë guximshëm që tërhoqi vëmendjen, qoftë të lexuesve, qoftë të kritikës letrare. Ai u lajmërua si një penë e re, por që shpërfaqte një pjekuri në varg,në ide, në porosi, në shprehje dhe mendim paksa më të avansuar nga disa që shkruanim. Një zë burrëror, por edhe guximshëm dilte para penave tashmë të njohura; Teki Dervishi, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Shaip Beqiri, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Agim Vinca e ndonjë tjetër, pa i permendur elitën e poetëve kosovarë të viteve ‘6o-70, ku tashmë ky bënte pjesë në plejadën e sukseshme të viteve’80-9o të me disa nga emrat e njohur; B. Caprici, B. Avdyli, T. Desku, F. Tasholli, R. Sylaj, S.Bashota, S. Havolli, N. Kelmendi, S. Fetiqi, I. Aliu, M. Avdyli, I. Syla, B. Dabishevci e shumë të tjerë që njihen si brezi i Republikës,sollën një zë më një kreativitet dhe vendosen nga një gur në kalanë e madhe poetike. Aktet dramatike të kësaj dekade dhe fati tragjik me thyerje të mëdha të fatit të popullit shqiptar u përvijuan tek secili poet në forma dhe mënyra të ndryshme. Duke u ndodhur përballë kësaj gjendjeje,ku poeti s’kishte tjetër armë urtësie, pos vargut, në vitin 1991 kur qielli dhe toka e Kosovës u mbulua terrinë sic e permend autori shpesh këtë fjalë, poeti li larguar me dhunë nga pushteti pushtues-serb, lë Kosovën dhe kërkon mbijetesë rrugëvet e botës, në Gjermani ku tash vepron dhe punon. Duke lexuar dhe përcjellë krijimtarinë poetike të këtij poeti origjinal, të talentuar, rrjedh pyetja si për kureshtje; më shumë kurbeti i vodhi muzën autorit, apo më shumë kurbeti i dhuroi dicka në jetë. Na duket se më shumë i ‘’vodhi’’, ngase ai nuk reshti se shkruari,por duket se kurseu veten dhe nuk vrapoi pas titujve sic disa. A ishte dëshirë apo koha i doli në mes… ku ta di?! Por një gjë gati secili kritik letrar ka vërejtur se këto tri vëllime poetike për katër dekada vlejnë shumë më shumë se disa me dhjetra libra…! Tri vecoritë e artit poetik (Thjeshtësia, proverbialja dhe etno - psikologjia) Vëllimi poetik ‘’Vezullimë thinjash është i strukturuar në tetë cilke ku përfshihen 81 poezi. Poezia e Fetajt komunikon me kohën ku dominojnë indet poetiko-tematike me elementet filozofike, sociale, shoqërore, etno-psikologjike ku indi nevralgjik i dhembjes dhe mallit përvijohet mjeshtrisht gati në cdo poezi. Komunimimi i heroit lirik, është komunikim herë sir rëfim, herë si këshillë, herë si gjykim, por të gjitha këto i mbulon kupola poetike e filozofisë se shprehjes poetike. Në vargjet e Fetajt takohet e shkuara dhe e sotmja, koha në mes e gërshetuar me dhembje dhe mall. Heroi lirik herë i takon sociales, herë epizmit, herëtragjikës, ku përmes rrëfimit poetik shpalos dramën qoftë autobiografike për të dalë në atë kolektive. Në këtë dramë jetësore merr pjesë edhe autori, ku shprehet: ‘’Këngët e djalërinë,/i lashë në Prishtinë /…dhe dashurinë, / Rininë / tanket ma grinë…,/ Tash rrugëve të botës / E ndi pleqërinë / Fillikat i vetëm / E gjëma e fisit tim / Edhe lutjet m’I nxin..’’/(Skicë për autoportret) Kjo poezi mund të jetë skicë,tregim apo mund bëhet roman. Autori shpalos tri faza të jetës;rininë-dashurinë, pjekurinë, pleqërinë rrugëve të botës. Pra një autobiografi e biografisë se dhembshur, një filozofi mjeshtrore me thjeshtësi dhe efektivitet stilistik. Poezia e Fetajt ka urtësi, burrëri, por edhe dashuri. Elementi etno-psikologjik i veshur dhe ndërtuar mbi tabanin popullor e mbulon gati cdo poezi, ndër më të theksuarat janë; Skicë për një poemë, Vajtimi i ri etj. Komunikimi i autorit me kohën, me vendlindjen,me figurat e kombit, me te shkuarën, me vendlindje, ku dhembja dhe malli elegjiak me njerëzit e vendlindjes ështeë aq i zjarrtë, sa sikur një magnet tërheq tharmin e etjes për ata që autori ka etje dhe respect.Ky mall elegjiak, qoftë haptas apo tinëzisht e mbulon indin nevralgjik të cdo vargu të themi. Thjeshtësia në ndërtim, thjeshtësia në shprehje janë vecori të artit poetic të këtij vëllimi. Një vecori tjetër e vargut të Fetajt qëndron në proverbialen, në cdo poezi hetojmë shprehje që i afrohet fjalës e urtë. Pra cdo varg ka maturi fjalësh, ka kursim fjalësh dhe është ‘’kalli i pasur me grurë poetik’’. Në ciklin Shumë ëndrra pak këngë, autori shpërfaq dramën personale dhe kolektive të një kohe në vendlindjen e vet në Strellc, ku thotë; ’’Bora deri në shokë…e burrat lidhur për arra/ Lidhur e krejt të ngrirë / As të gjallë as të vdekur’’/ (Arrat e zeza në Strellc). Këtë dramë e ruan në këngë rapsodi,Rrahman Imeri,:Tema e mërgimit është ajo që kaplon shumë vargje,shumë poezi. Duket se autori këtë plagë e mban me veti kudo si një trastë -kujtimi, si një plagë në trup që s’ka shërim asnjëherë. Rrëfimi për kurbetin ,nganjëherë kalon në këshillë; psh. ’’Veç emigrant lum baca / Mos u bëfsh kurrrë / Si unë …mos pafsha / Rri aty../ Rri lum baca / Më mirë një vit…ndër ato mrize / Se rrugëve të botës..gjithë jetën si qyqe’’ / (Letër nipit tim Norit). Rrugëve të botës është togfjalëshi që autori e përdor shpesh në vargje;këtë gjë e bën për efekt psikologjik. Edhe motivi social apo nota sociale kalëron në shumë poezi dhe sikur ka shenja të një kohe sikur të Migjenit na kujton ndonjë poezi. p.sh ;’’ A do argat zotni’’, ku në mes tjerash shkruan; ’’Me njëmijë lutje zgjohem / E për n jë ëndërr bie / Me dy –tri zhele / Arnoj cdo dashuri / Do bukë e ha disi / As helm nuk kam me pi / Lëre ti shekullin njëzetenjë’’. Pra me një thjeshtësi paraqet një filozofi dhe fuqi poetike. Poeti nuk guxon ta harrojë historinë, t’i harrojë personalitetet qoftë familjare; babai, vëllai, halla apo personalitetet historike që lanë një gjurmë krenarie si; Ibrahim Rugovës, Jusuf Gërvallës, Zahir Pajazitit, Isë Boletinit, Sali Cekajt dhe poetit të njohur,Azem Shkrelit. Me vargje të shkurtra hetojmë një poezi metaforiko-ironike në shumë poezi, psh; ’’Në besë po të flas e nuk dua me të rrejt / As lule s’të solla se i pshurrin qentë’’ (Bisedë sy me sy) (Zahir Pajazitit). Satira dhe ironia groteska shigjeton aktualitetin grotesk në disa poezi; ’’Në ankand kemi dale/Vec marrëzi shesim/Shesim e… vetë e blejmë’’. Një tjetër poezi ku autori na shpërfaq një gjendje cfarë jemi, një gjendje pakënaqësie ku thotë; ’’Na mundën na mundën kryetulet / Pshurranat dhe xhuxhët / Stina e tyre paska ardhur’ ’(në cilen stinë qenkemi). Autori aludon tek ata njerëz që zhvatin këtë shtet,që hanë dhe rjepin cfarë munden. Këu qëndron nota e ironisë. Andaj, nuk ka akte dhe skena dramatike te këtyre dy dekadave ku nuk e tërhjek poetin duke I shpalosur qoftë haptasi qoftë në mënyrë të tërthortë apo të nënkuptuar. Sikur vargjet e Fetajt janë nganjëherë histori e vargëzuar, por gjithnjë në lidhjen sentenciale me shprehjet popullore qe janë një pasuri gojore, një nektar nëpër kohëra dhe breza duke I ruajtur në mënyrë fanatike, pra poeti shkel në tabanin e fortë popullor, si alfabet I parë I trashëgimisë se popullit. Gjuha e pasur figurative, figurat letrare; metafora,krahasimi, epiteti, satira, antiteza i japin një stil dhe fuqi shijes estetiko-letrare poezisë. Me kënaqësi autori përdor shprehje popullore, ndonëse herë-herë i ik normës letrar, duke përdorur një gegërishte të ëmbël, por ato shprehje nuk ia ulin fuqinë shprehëse poezisë, veç ia shtojnë bukurinë e shprehjes poetike. Kritika për poetin Poezinë e Fetajt e ka përcjellë kritika letrare, por ka ende mundësi të shkruhet më shumë, ngase vargjet e autorit provokojnë për një interpretim më të thellëfilozofik. Më poshtë po sjellim disa recensione të shkurtra nga disa krijues-kritikë; ‘’Poezia e Naim Fetajt lidh nyjat e kujtesës autoriale,më parë se me figura e diskurs, në biografi e ‘’histori’’ njerëzish që përfaqësojnë,ashtu sic gjerat i përfaqësojnë njerëzit kur ata s’janë më. Një poezi personale, madje autobiografike, ashtu siç duan të jenë përherë diskurset lirikë’’ (Kujtim Shala). *’’Naim Fetaj kur e kur me tone elegjiake e kur e kur me tone triumfaliste këngëton për një serë temash e motivesh jetësore’’ (Ragip Sylaj). *’’Poezia e këtij poeti,që ka si bazë të gjykuarit e urtë, shndërrohet vetëvetiu në poezi sentenciale ku gërshetohet filozofia tradicionale e etnikumit me filozofinë moderne të jetës dinamike’’ (Faruk Tasholli). *’’Vezullimë thinjash’’ vjen si flladitje e tokës për të shtuar begatinë e bukuritë e atdheut. Nëpër këto përvijime artistike, vargu I poezisë sa vjen e merr kuptimin sa racional, po aq edhe shënon e saktëson dokumentaritetin e ngjarjeve me të cilat ka jetuar e bashkëjeton Naimi; në shkrirjen e mallit për dashurinë që ndjen në të gjitha ecjet e tija’’ (Nexhat Rexha). *’’Ky poet sikur me dy krande e ndez zjarrin poetik. E në këtë zjarr dalldisen figurat poetike e shpërthyeshëm del mendimi rrezatues që të befason. S’ke se si të mos thuash se poezia e mirë thuret edhe me pak fjalë,sidomos kur janë fjalë shpirti,shpirt që digjet për një fjalë e për mungesë të asaj fjale kur e do koha e ku e ka vendin’’ (Adem Istrefi, redaktor i librit ’’Vezullimë thinjash’’).
Rreth Naim Fetajt dhe vëllimit poetik, "Vezullimë thinjash"
Nganjëherë se pse më duket ky Naimi i Fetajve si më moçëm se unë e sikur përkulet mbi mua e po më pyet: A u vrave, baco, si atëbote kur u rrëxova dhe e përgjaka mjekrrën në oborrin e tij. Nganjëherë si moshatar e nganjëhërë si vëlla më i vogël i them në vesh: Si është e mundur që me Naimin jam takuar vetëm tri herë! Njeherë qenkemi takuar në Belgjikë,njëherë në Gjermani e herën tjetër në Zvicërr. Dhe as një gjysëmherë në Strellc, aty ku u lindëm te dy. S’them se patëm fat që u lindëm këtu, se tjetërkund nuk mund të lindnim. E kush lindet në Strellc, sado larg tij degëdisin këmbët, kurrë s’mund të largohet krejtësisht prej tij. Mbetet si në ëndërr natë e ditë e veç kthimin e kujton… Prandaj si të përbashkët këtë ëndërr, fat e patëm. Secili më ndryshe ia ndërroi gishtat fyellit të vet. Secili më ndryshe e pa këtë ëndërr dhe më ndryshe e rrëfeu. Ngjajmë ngapak e secili me vetëvetën ngjajmë. Ka një vrullimë rrëmbyese ky këngëtim i tij. Ky poet sikur me dy krande e ndez zjarrin poetik. E në këtë zjarr dalldisen figurat poetike e shpërthyeshëm del mendimi rrezatues që të befason. Në këtë befasi përfshihesh pastaj e para teje sikur zgjerohet hapësira. S’ke se si, asesi s’ke si të mos thuash se poezia e mirë thurret edhe me pak fjalë, sidomos kur janë fjalë shpirti, shpirti që digjet për një fjalë e, për mungesë të asaj fjale kur e do koha e, ku e ka vendin.
Shkruan: Bexhet ASANI Poetin Naim Fetaj e preokupon përditshmëria gjithëshqiptare. Poezinë e tij, fund e krye e përshkon sentimentalizmi. Vargjet plot melodiocitet burojnë e gurgullojnë si Drini i Bardhë. Sot pothuaj të gjithë krijuesit, shkruajnë vargun e lirë, herë-herë të thatë e të pakuptimtë. Naim Fetaj është usta i vargut të bardhë, i bardhë ashtu siç është shpirti i tij rebel, kundër padrejtësive shoqërore. Ai me vargun e tij artistik e të mprehtë me mesazhin që jep, e bën lexuesin për vete. Lexuesin e rrëmben forca artistike dhe estetike e vargut të tij, ai gërsheton rimën tradicionale me vargun e bardhë, kjo e bën më tërheqëse, më të ëmbël, më të dashur vargun dhe poezinë e tij. Në lirikën e Naim Fetajt dominon motivi social, motivi patriotik etj. Poeti Naim qanë hallet dhe vuajtjet e popullit gju më gju me popullin, që nga jugu në veri e që nga perëndimi deri në lindje të tokave shqiptare. Ai me shokë në rini luftoi lirinë e vendit të tij të dashur Kosovës, lufton edhe sot pa marrë parasysh furtunave dhe dallgëve të zhgënjimeve...! Pezia e Naimit eshtë gracioze e që sjellë freski në letërsinë tonë. Sikur ai të kultivonte peoezinë me rimë dhe posht saj apo lart të shënonte inicialet N.F. të gjithë do të thoshin se poezinë e ka shkruar Naim Frashëri...! Po ja që poeti Naim Fetaj kultivon vargun e bardhë dhe poezia e tij është po aq e dashur për lexuesin sa poezia e Naim Frashërit. Pse? Sepse të dy Naimët u mbështetën në tabanin kombëtar. Çdo gjë që mbështetet në tabanin kombëtar, është e dashur, është e mirë, është e bukur, është e madhërishme, është hyjnore. E tillë është poezia e poetit të ditëve tona Naim Fetajt. Dy poeti nga Naim FETAJ SKICË PËR PORTRET... Një ëndërr atëbotë s'na la me u rritë Dhe fjala e zjarrtë...Kosova Republikë Sa shumë vuajtje e vdekje o Zot Dhe ende faqet... larë me lot E lum për veti s'bëmë Atë ditē e sot.. atë ditë e sot... SI EPITAF... ( Për Almirin 4 vjeçar) Lotova për ty... sonte Almir Po as ne të gjallët... s'jemi hiç më mirë Ti shkove i ri... nuk dite ç'është dhembja Mirë që s'e dite Në gojë si vritet kënga Ti shkove i ri... nuk dite ç'ështē malli Mirë që nuk e dite Si vdiset për së gjalli...
Naim Fetaj:” Vezullimë thinjash”, Botoi,SHB ,” Beqir Musliu”, 2015 Poezia si shfaqje e dukuri artistike vjen në zhvillim të konteksteve jetësore, si rrjedh e përjetimit dhe orientimit të imagjinatës preokupuese të njeriut poet. Në këtë korrelacion ngjarjesh e përjetimesh vjen edhe vëllimi poetik “Vezullim thinjash” i Naim Fetajt, me synimin e realizuar për të dhënë e shpalosur botën intime, si parashtrim e kërkesë poetike në ndërlidhjet e gjuhës poetike, si dhe për të shprehur aktualen e përgjithshme në nivel të vetëdijesimit tonë. Duke lexuar librin në tërësi, ai të krijon mundësinë e depërtimit në të gjitha vargjet, të cilat kanë lidhjen e tyre tematike si pjesë përbërëse e njohjes, brengave të autorit për të gjitha pjesët e paraqitura në këtë vëllim. Poezia e Naimit të krijon përshtypjen e njeriut kërkimtar për të gjetur realen e të ndodhurave në arealin tonë e më gjerë. Se vetë jeta është komplekse me të bëmat e saj, para së gjithash koha edhe ngjarjet lidhin nyjet e jetës. Autori kërkon në vazhdimësi, që këto nyje të krijuara apo të diktuara të zgjidhen në mënyrën sa më funksionale, sepse vetë poezia shfaq e riaktualizon të mundshmen për fjalën e shkruar. Qasja e autorit ndaj jetës dhe poezisë shkon krahas rrjedhave të përjetimit, si ndjenjë që kërkon të bashkëjetohet më të, këto ndërlidhje artistike kanë kaluar e kalojnë nëpër verditkin e masave të gjëra, për të hulumtuar e prekur me botën shpirtërore të Naim Fetajt. Vepra është konceptuar në tetë cikle , të cilat komunikojnë bukur në mes vete. Këto ndarje krijojnë mundësinë më të favorshme për lexuesin, sepse poezia si e tillë brenda kopertinave ka fillimin dhe mbarëvajtjen e saj artistike. Mirëpo, tematika e shtruar në të dikton, e jep mundësinë e përjetimit sa më afrues në komunikim me lexuesin e vëmendshëm. Poezinë e këtij vëllimi e karakterizon fryma e lehtë flladitësi nëpër vargjet e saja, Naimi ka racionalizuar vargun e tij në kombinim e figuracion të arsyeshëm, për t`i dhënë atij strukturën sa më funksionale në finalizimin e tërësisë poetike. Qenësia e njeriut tonë te jep elementin dominues në të gjitha pikëpamjet tematike, duke i ndërlidhur ngjarjet nga të zakonshmet dhe ato të jashtëzakonshmet. Cilësimi artistik është shtruar në rrafshim e qëndrueshëm, kështu, idetë e dhëna në shfaqjen e gjurmëve pohojnë e kapërcejnë kohët. Ato rrjedhin si ujëvarë në të gjitha stinët e vitit, në këtë kuptim vargu të jep rrjedhën e moteve, të veprimit sa të dëshirueshëm, po aq edhe të padëshirueshëm. Në këto hallka ngritjesh kohore, Naimi në disa poezi shprehet dhimbshëm për pësimet tona, e nga ato pësime sikur i parashtron njeriut tonë rrugëdaljen kah ngjitja e suksesit. Tragjikja nuk është element mitik, por në shumë raste ajo është riaktualizuar, për të mos harruar të kaluarën,të cilën e ka kultivuar e ruajtur gjeniu ynë përmes këngës, e këto theksime të ekzistencës sonë kombëtare kërkojnë për të arritur në vendin, kohën e duhur për brezat që vijnë. Poeti ndërlidh edhe shkëlqimin, edhe apokalipsin, në këtë shtjellim artistik rrëfehet bukur e kaluara dhe tashmja jonë, e cila kërkon mundësi më të avancuara. Ai e njeh botën reale dhe atë e sjell si përjetim shpirtëror, duke filluar nga jeta e vegjëlisë kur skuqjet e faqeve i përjetojmë të gjithë në një mënyrë të përafërt, e për të arritur deri tek unifikimi i dhembjeve kombëtare. Vetë jeta në kurbet i ka shqetësimet e veta, njëkohësisht edhe periudhat para kurbetit, për Naimin ato kanë krijuar e ruajtur; dashurinë, plagën, ofshamëm si pasthirrmë me matjen e kohëve përtej kufirit, kur edhe ëndrrat të zgjojnë si kërkesë e meditimit të vazhdueshëm, për të pa vendlindjen me diellin e mëngjesit. Në këto ëndrra vijnë edhe tetë ciklet poetike, të cilat të japin mundësinë e prekjes artistike si përjetim e ndjenjë në tërësinë e parashtruar në libër. Të gjitha këto ndarje të japin gjendjen e veprimit kohor përmes imazhit artistik me tërë problematikën e theksuar. Nga pjesa hyrëse e librit “Në vend të përshëndetjes”, të shkrimtarit që i ka munguar vendlindja nga atdheu i munguar, Adem Istrefit e deri te poezia e fundit e këtij libri, lirikat vijnë rrjedhshëm pa ngarkime të tepruara, ani pse malli, e dëshira për të pa ditë më të mira janë flijime të pa përjashtueshme e konvencionale. Naim Fetaj ka aktualizuar të gjitha frymëmarrjet si rrjedhojë e kujtimeve të rinisë së hershme, kur dashuria fillon e nuk finalizon lojën e atyre ditëve flakë. Në Ciklin e parë “Shpirt i shprushur”, shpalosen lirika të dashurisë, të cilat e rikthejnë njeriun në momente të pa përcaktuara kohore, skena këto që kanë dridhur zemrat e ditëve të ikura, e bashkë me të janë tretur ngjarjet, por ai i rikthen ato për të ruajtur hijen e tyre. Në ciklin e dytë”Me dorë të dridhur”, shpaloset bota meditative e tij nëpër shtegtimet që ikën. Mirëpo, ai ka ruajtur në kujtesë dhembjen, dashurinë e shqetësimet për ato ditë, kur jeta në Kosovë të merrte të gjitha mundësitë e mira. Në vargjet e këtij cikli, Naim Fetaj ka shkrirë edhe elementin e folklorit burimor si përforcim dhe ruajtje të tradicionales e si sforcim kundërshtues nga periudhat e mundimshme, por që në to është brumosur edhe ideali për liri, si në poezitë: ”Vajtimi i ri”,”Skicë për poemë”, meloditë e këtyre këngëve të japin atmosferën e kohës së dhembshme për të cilën dalin mesazhet poetike të Naimit. Në ciklin e tretë “Shumë ëndrra e pak këngë”, rikthehen kujtimet si kaptina të veçanta familjare, të cilat bartin bagazhin e konkretes, ato të japin kuptimin shpërndarës në aktualitetin e përgjithshëm të atyre viteve, ngjarjeve me ofshama e pritje me ankth. Pritjet e nënës për djalin e saj në ushtrinë e padëshiruar janë skena të mallit e brengës. Pastaj elementi social në poezinë “Këngë zie për babën” , të japin ngjyrimin e një kohe të bukës, që mungonte aroma e saj. Në ciklin e katërt” Klithmë e përvajshme”, klithjet e njeriut poet nëpër kohë kanë bartur prushin nëpër duart e mendjet e tyre, kurse autori kërkon që këto ditë rrëqethëse, të mos përsëriten,kurse ditët që janë me ne, kërkojnë ndryshime ndër breza, për një pamje a veprim më të mirë për vendin tonë. Në ciklin e pestë “Veç një zog”, radhiten poezitë me motivin shoqëror- refleksiv, sepse jeta në atdheun e autorit, ka krijuar paradoksin e ngjarjeve dhe ai kërkon, e bënë thirrje të zhdukë këtë mall të munguar për lirinë e ëndërruar të Kosovës ashtu siç e ndjen ai. Në ciklin e gjashtë”Dhimbjes ku t`i fshihem s`kam “, në poezinë”Në cilën stinë qenkemi” ai shprehet me vargjet: Telat e marrëzisë na këputën shpirtin Shpirti si të mbahet pa këngë Sa shumë u vonuam Dhe këngën harruam Na mundën na mundën kryetulët Pshurranat dhe xhuxhët Stina e tyre paska ardhur Fq.80. Malli për atdheun përvëlon dhe për këtë arsye shpërthen revolta në disa poezi. Ai kërkon që ky lëmsh i të ndodhurave me ikje të njerëzve nëpër rrugët e botës, po e shëmton shtetin tonë. Këto bredhje kanë dhembje që qojnë në absurditet, e përgjegjësitë janë të njeriut faktorizues të kësaj kohe. Në ciklin e shtatë”Gjithkah më ndjekkan këta zëra” shtrohen dilemat përmes figuracionit të dendur të ironisë, sikur u bëmë përrallë para botës me veprimet tona, e qortimi është i arsyeshëm për spektrin e gjerë politik të vendit. Kështu, ai shtron kërkesa për dalje nga kjo amulli e pakuptimtë, e cila prodhon shumë ide. Ide këto që nuk kanë destinimin e dëshirueshëm, kurse atë e shqetësojnë këto plasime jo funksionale edhe në këtë fillim shekull. Në ciklin e fundit të tetin” Kapërcime degë medegë”, ai përmbyll librin me brengën e mallin për atdheun, ai mallkon kurbetin dhe ata që ndikuan në këtë jetë larg vendlindjes. Vargu i fundit i poezisë “Mallkim”, dikton kohët sundimtare, pushtuese të viteve të errëta, e që për çdo gjë, që theksohej shqip vriste mendimin e fjalën. Në vargun e figurave përkushtuese, autori nuk i ka përmbledhur përkushtimet poetike në një cikël të përbashkët, poezitë kushtuar; Dr.Ibrahim Rugovës, Për Jusuf Gërvallën, Me Zahir Pajazitin, Për Sali Çekun, Azem Shkrelit, Hallës sime....Xhevës etj.,i ka radhitur sipas rrjedhës kohore në pikëtakimet e ngjarjeve me lidhshmërinë e motivimit të secilit cikël poetik.. Nga të gjitha këto parashtrime e vlerësime të dala nga brendia e vargjeve, vepra si e këtillë rrezaton drite e jetë. Pra,vëllimi poetik “Vezullimë thinjash”i Naim Fetajt’ është libri i tretë, që vjen me vargjet e gdhendura e plot gjallëri, për të thënat e të pathënat e kësaj periudhe kohore, kur jeta jeton dhembjen e dashurinë. Në bredhjet e ditëve të gjata, e netëve te pagjumta, autorin e kanë ndjekur; shqetësimet, mallëngjimet, dhembjet, dashuritë e prekura tinëzisht, si dhe nuk e kanë lënë rehat edhe marrëzitë e krismat me jehonën e absurditetit. Poezia e Naimit në brendi ka të përbiruara edhe vogëlsinë intime, që i numëron reshjet e shiut të vendlindjes, në të gjitha stinët, ajo vjen si përjetim nga kurbeti me mallin e dashurinë, si flladitje e tokës për të shtuar begatitë, bukuritë e atdheut. Nëpër këto përvijime artistike, vargu i poezisë sa vjen e merr kuptimin sa racional, po aq edhe shënon e saktëson dokumentaritetin e ngjarjeve me të cilat ka jetuar e bashkëjetuar Naimi, në shkrirjen e mallit për dashurinë që ndjen në të gjitha ecjet e tija. Kend nuk e kanë ndjekur frymëmarrjet e vendlindjes me të gjitha të mirat, e të këqijat, që mund të mbeten si pjesë e kujtesës në jetë, ato janë ruajtur me kujdes e dashuri edhe te Naimi, e si të tilla ato të japin e të marrin imazhin, pastaj të japin kënaqësinë e leximit, të përjetimit më poetik e shpirtëror . Në këto depërtime e ruajtje aktualitetesh, poezia e këtij vëllimi artikulon e brumos vargun e tij në cilësi e kreativitet, për të dhënë qëllimin, idenë e mesazhin konkretizues në harmonizimin e realizmit sa më origjinal të tërësisë poetike. Borges në librin “Ligjërata “, rolin e lexuesit me poezinë e cilëson kështu: ”Poezia është takimi i lexuesit me librin, zbulimi i librit”.* Këto ndjesi e këto takime i gjejmë gjatë leximit në vëllimin poetik “Vezullimë thinjash” të Naimit Fetajt, poezia si tërësi reflekton mendimin estetik, sepse ajo të afron me fjalën e saj si parashtrim e kërkim të ruajtjes së qenies sonë deri në përjetësi. *Jorge Luis Borges: ” Ligjërata”, Botoi “Pika Pa Sipërfaqe”, Tiranë, 2013, fq. 85. Maj, 2015