Montag, 27. Mai 2019

Mehmet Rrema: Naim Fetaj dhe poezia "Dosja pa numër"

Poeti Naim Fetaj

DOSJA PA NUMËR

Binin zogj si breshër nga qielli
Me breshëri plumbash të çarë në mes
Mjegulla solli vdekjën e burrat ranë te lumi
Aty e mbrapa... kush s'ka pa mëngjes...

Vajin e fëmijëve e kanë përkundur lisat
Gjak e tambël kur pinin nëpër terr
Për gra e vasha as Zoti nuk dinte
Se ishte terrinë... tymnajë si nëpër ferr...

Prej fshati në fshat 
Me zorrrë nëpër kēmbē
Dhe t'vdekurit vinin pas
Me shpirt ndër dhëmb

Mallkonin plakat...
Breg rruge sy si gaca
Do të çelet qiella thoshin...

Po larg ishte Bllaca...


Vështrim nga shkrimtari Mehmet Rrema

Pa marrë për sipër të bëj analizën e kësaj poesie të mbrekullueshme të poetit Naim Fetaj pasi atë mund ta bëjnë siç duhet specislistët e kritikës dhe estetikës letrare, unë po hedh një vështrim të shkurtër në këtë poezi.

"Binin zogjtë si breshër nga qielli"

Poeti shikon se tokës po i kanoset një diçka e tmerrëshme që kurrë ndonjëherë nuk është parë e dëgjuar. Nëse nisemi nga librat e shenjta është një paralajmërim se po vjen fundi i botës. Ndoshta vetë Perëndia është lodhur me bëmat e njerëzimit dhe paska vendosur të na dërgoi mesazhin e fundit.

Por shpejt poeti na e heq atë pakuptueshmëri tonën dhe na sqaron se kjo nuk është një paralajmprim i Perëndisë, se do të përmbysur botën, por është dora mizore, dora gjakatare e njeriut barbar, paisur me mjetet më moderne të shfarosjes së gjithësisë, që po kërkon ta bëjë atë, prandaj ai na thotë se këto zogj që bien si breshër nga qielli "Me breshëri plumbash çarë në mes". Ja pra që kjo kataklizëm ardhka jo nga Perëndia, se ajo qendron e bën sehirë, por vjen nga njeriu, nga njeriu i lig, njeriu mizor, njeriiu i paisur me egërsinë më të lartë dhe është i gatshëm të djegi tokë e qiell, të zhduki shernd e njerëz për egon e tij.

"Mjergulla solli vdekjen e burrat ranë tek lumi"

Ky njeri gjakatar,fis me felinët dhe uqërit, përdor hrtë dredhitë e sofistikuara, herë armatimet çfarosëse, por gjithmonë parapëlqen që krimet e tij çfarosëse t'i realizojë në fshehtësi, në mjergull, sepse don që para botës nesër të shitet si viktimë, prandaj edhe kërkon t'i fshehë duke i hedhur burrat tek lumi. Sepse shpreson se lumi do të fshehë krimet monstruoze.
Tragjedia qe aq apokaliptike, në atë udhëtim sa me të drejtë poeti Fetaj thotë se "Aty e mbrapa kush nuk pa mëngjesin".

Dhe udhëtimi vazhdon mes sakrificave të pa imagjinurshme të pa kapëshme nga subkoshjenca njerëzore, por ja që ndodh. Në atë udhëtim ku nuk i duket fillimi, po aq më pak i duket fundi, janë breza që udhëtojnë. 

"Vajin e fëmijëve e përkundin lisat".

Kujt mund t'i ankohen, nga kush mund të kërkojnë ndihmë, sepse në atë udhtim ferri të gjithë kanë nevojë për ndihmë. Lisat,marrin forcën personifikuese, marrin rolin e nënës dhe përkundin, po çfarë përkundin, përkundin vajin e fëmijëve, të cilën e përcjellin degë më degë e ky vaji merr formën ushtimës, të jehonës që të arrij domosdo në ndonjë vesh i cili ende mund të ketë mbetur hapur dhe të thërrasë aq sa ta dëgjoi vrtë qielli, se fëmijët po pijnë qumësht përziet me gjak. Ky ushqim i pa zakontë që vazhdon në terrin e kohës, në terrin që nuk i shikohet ende fundi sepse "Për gra e vasha as Zoti nuk e ndali".

Sepse edhe vetë Zoti me sa duket është bashkuar jo me të pafuqishmit siç predikojnë klerikët, por është bashkuar me kriminelët, për të mos ua hequr terrin, për të mos ua lehtësuar vuajtjet këtyre grave e vajzave që u duhet , me forcë titanike të mund të përballojnë këto sfida mbinjetëzore.

U duhen shumë sakrifica sepse Zoti nuk e ndal terrin, nuk do të sjellë mëngjesin, përkundrazi e shtyn sa më larg.

Ky udhëtim biblik i paraqitur me mjeshtëri të pa krahasueshme nga poeti Naim Fetaj, është udhëtim i shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga shtëpitë e trojet e tyre, një shpërngulje genocidale,që rrallë ndonjë popull e ka provuar.

Figurat e shumëta që poeti përdor, dhe i përdor me shumë saktësi dhe elegancë, nuk janë kursese atrificiale, të gjetura me mundim, jo, ata janë një brum i fermentuar në mënyrë natyrale, në shpirtin e poetit ashtu si në shpirtin e gjithë popullit heroik të Kosovës dardane, e cika prej shekujsh vuajti këtë dhunë barbare serbe dhe nga përvoja dhe jeta e tij. Ata vijnë tek lexuesi duke shkaktuar emocione të jashtëzakonëshme, që mbeten thellë në mendjen e zemrën e tij,dhe e shoqërojnë sikur të kishte përjetuar të njëjtën gjë si vetë personazhet.

"Nga fshati në fshat
Me zorrë nëpër këmbë"

Tragjikja këtu është ndërthurur në mëmyrë harmonike me të madhërishmen . Njerëz të cilët udhëtojnë nga fshati në fshat, po nuk dihet se ku ka filluar ky udhëtim biblik,nuk dihet edhe ku do të përfundoi, se fshatrat janë të lidhur me njëri tjetrin si tespijet në fijen e perit. Ec ky karvan mitologjik, ec e nuk ndalet, por nuk është një ecje e zakonëshme, nuk është një dhetitje në nstyrë, një piknik. Është një udhëtim tragjik, se personazhet janë të plagosur rëndë. Janë të plagosur në trup, po edhe në shpirtë. Ata duhet të ecin e ta përballojnë këtë udhëtim tragjik duke ecur me zorrë nëpër këmbë.

Po kaq tragjike është edhe ajo që ndodh në vargjet pasues:

"Dhe të vdekurit vijnë nga pas
Me shpirtë nëpër dhëmbë"

Pra në këtë udhëtim tragjik të gjallët shoqërohen me të vdekuritqë edhe ata bëjnë një përpjekje titanike duke ecur me shpirtë nëpër dhëmbë, për t'ju larguar. Tamam si në legjendë kur Kostandini ngrihet nga varri për të shoqëruar e kthyer motrën në shtëpi, ashtu siç i pat premtuar, por këtu, të vdekurit shoqërojnë të gjallë gjysëm të vdekur që largohen me dhunë nga armiku, nga gjakatari serb.

E gjithë kjo tragjedi e këtij rrugtimi të gjatë,këtij rrugtimi me përballje me luftën më të vështirë që mund të imagjinohet, e këtij rrugtimi biblik, autori i kundërven optimizmin, dëshirën e madhe për jetë dhe shpresën për të. Të moshuarat,pjesë e kësaj vuajtje, e këtij karvani të gjatë, pa u drejtuar fare tek Zoti, lëshojnë një mallkim, ulur aty buzë rrugës, dhe janë të bindura, se mallkimi i tyre do të godasë më rëndë se vetë mallkimi i Perëndisë shkaktarin e kësajë tragjrdie, të këtyre dhimbjeve të pa shoqe, që vetëm ata, bijët e shqipes, mund t'i përballojnë:

"Mallkonin plakat
Breg rruge,sy gaca
Do të çelet qielli thoshin
Po larg është Bllaca"

Edhe ashtu, në atë gjendje që ishin, edhe pse e shikonin se Bllaca, liria ishte larg, ata prapë shikonin se diku larg në horizont ajo është dhe do të çeli një ditë e re, dita e lirisë.
Duke lexuar poezinë e poetit Naim Fetaj nuk ka se di të mos emocionohesh dhe të përjetosh atë tragjedi gjenocidiale, të pashoqe të ndodhur në mes të Evropës së vjetër, të kontinentit gjoja demokratik e djep të humanizmit.

Duke e falënderuar për këtë poezi të bukur, i uroj të tjera suksese poetit!

Samstag, 25. Mai 2019

Një cikël me dymbëdhjetë poezi nga Naim Fetaj

Naim Fetaj

DOSJA PA NUMËR

Binin zogj si breshër nga qielli
Me breshëri plumbash të çarë në mes
Mjegulla solli vdekjën e burrat ranë te lumi
Aty e mbrapa...kush s'ka pa mëngjes...

Vajin e fëmijëve e kanë përkundur lisat
Gjak e tambël kur pinin nëpër terr
Për gra e vasha as Zoti nuk dinte
Se ishte terrinë...tymnajë si nëpër ferr..

Prej fshati në fshat 
Me zorrrë nëpër kēmbē
Dhe t'vdekurit vinin pas
Me shpirt ndër dhëmb

Mallkonin plakat ...
Breg rruge sy si gaca
Do të çelet qiella thoshin...
Po larg ishte Bllaca....



SI URTI...

Edhe nëse qielli i at-dheut 
Të kafshon me dhëmb
Mundohu patjetër të qëndrosh në këmbë

Askujt mos ja zë diellin...

Se kur të bie perdja e shpirti kur të dhemb
Në tokë as në qiell nuk të mbetët vend...

Përmbi dhe ndoshta 
T'a sjellin krejt ferrin...

Edhe pa kokë
E merr ai të mjerin...



SI ËNDËRR...

U thave ëndërra ime
Edhe të vranë
Mbi vetull kur n'a ranë

Kur na i morën sytê
Na vranë për herë të dytë

Kurrë më nuk pamë dritë.

Rrugëve të botës unë
Kerkoj mentë e kresë
Plotë ëndërra tjerët erdhën
Kërkojnë një trohë shpresë..

Na rrou dreqi krejt
E u bëmë pikë e pesë...

Ah liria lme
Si vello me vesë...



NUK KA MË KËNGË

Fushës përgjatë po dergjën të vjelat
Dita po zbret po s'dëgjohën gjelat

Dita thonë ka le po dielli nuk po del
Dhe gjeli paska thënë ...as unë s'jam teveqel

Nuk ka me këngë
Se vetë po e donë terr...



NË KATËR VARGJE

E vrave vetën... shkon si qeni n'rrush
As nënën bile s'e ngushëllon askush
Kur nisën për t'u dehur Grykës së Rugovës
Humnerave e shohin krejt shtatin e Kosovës...



PËR SHËNGJERGJ...

Vashat mblidhnin lule 
Çunat e prenin shelgun
Nënat vlonin ujin.. 
Dikush e zinte shtegun....

Nuk duhej letër as mësit i ri
Veçse të vetonte
Ndër dy palë sy...

Edhe verrat pastaj i kemi puthur
Me shumë dashuri

Ai ajo e ata. ..
Jo veç unë e ti...



DJERRINË

Piqej babai në pishë të diellit
Me muaj me stinë deri në terrnajë

Zhapinj e hardhucë tash verojnë aty
Dhe do kuaj të vorreve 
Dergjën n'atë grunajë..

S'ka këngë më aty ...as zogj
Tash e sa mot
As shpendkeqja natën... s'e bënë aty dot




AH BACË O BACË...

Janë endur korbat me sytë tanë nē sqep
Me sytë tanë si gacë
Herë përmbi Kukës e herë përmbi Bllacë...

Janë trashur qentë
Dhe krimbat janë trashë
Edhe zonja macë...

Herë në gojë të ujkut
Herë në gojë te qenit

E sa shpejt harruam
Ah bacë... o bacë...



O I LUMI TI...
(Për Salih Çekaj)

Edhe mes profetëve
Isa... Musa.. Ali...
Doli mbi Shqipëri
Emri yt... Salih

O i lumi ti i lumi 
Oh i lumi ti...




FOL O SALIH ÇEKU...
(Tekst kënge)

A po del prej tokës
A po del prej gurit
I zjarrt sikur kënga
Nën hije t'flamurit...

Kur përplasët fushës
Valët ia dridh detit
Bash si krisma e pushkës
Za i Salih Çekut...

Refreni:
( Kush po i drejton gurët
Kush po e dridh tokën
Me zjarr Sali Çeku
Po e nd'rron epokën )

Çka mbolli tej malit
Oso Kukë Vranina
Shqipnisë Salih Çeku
I vjen nër vetima...

Një Shqipni e kisha
Njē Shqipni e due
Veç me e hek kufirin
Që na ka pervëlue...

Fol o Salih Çeku
Se te don atdheu
I erdhe Kosovës
Bash si Skënderbeu...



DILNI E NDALNI VARRET...

Ku t'a vëmë tash këmbën
Se s'na mbeti vend
Mut e bënë të gjithë
Të gjithë...rend me rend

Që të mos ikin tash
Dilni e ndalni varret
Se këngë e legjenda
I ruajnë vetëm malet...



NJË JETË NËPËR MJEGULL...

Mes varresh pa emer
Mes eshtrave përmbi dhe

Kam klithur e kënduar
Edhe kam bërë be

Mëmë e atë
E kam quajtur atë dhe

Sa shumë kam hjekur
Ku brente miza hekur
E di
Delli im i djegur

Herë në gojë të ujkut
E herë në gojë të qenit

Një jetë nëpër mjegull...

Dienstag, 8. Januar 2019

Një cikël me dhjetë poezi

Naim Fetaj

VALLJA E TROPOJËS

Dolën prej shkëmbi a pikën prej qielli
Pluhur a mjegull ku mbeti vallë dielli
Edhe  zogjtë e malit prenë këngën e gojës
Bam e bum kur nisi... Vallja e Tropojës

Shkrepa e kreshta... stepën e u rrudhën lisat
Trimat e bajlozat heshtën
E dukēshin vetem plisat
U zgjuan legjendat... zanat... shtojzovallet
E bam e bum tupani në valle hynë dhe malet

Vashat hidhen lartë donë t'a kapin diellin
Burrat tundin tokēn e dridhin edhe qiellin
Çahet edhe bjeshka e digjet logu i lojës
Kur merr flakë e dhezet...Vallja e Tropojēs



POEZI PATRIOTIKE

Krejt atdheun... e morën kraheqafe
Se ishin të zotët... se kishin qafë gjirafe
Dhe populli prapa u shkonte si krushk
Prisnin diamante... gjirafa dhjente dushk....



LETËR MIGJENIT NË VARR...

Asgjë s'ka ndryshuar... i dashur Migjen
Bashkë me vargjet tua varri s'po na zën
Jeta në fije të holla  e vargjet shumë të rënda
Një shekull pas... as varri s'na  lë brenda...



OH...

Krejt zhele zhele i kam bërë ca fjalë
Disa fjalë dhimbje që i grija me dhëmballë
Për ju o miq që nuk jeni gjallë...

Shtrydhej një fjalë e loti ndalej në mjekërr
Për ju që vdiqët të ri 
Miqtê e mi të vjetër...



VRASJA E DYTË...

Ç'tradhti o Zot... ç'marrëzi
A dyjat katarrosh

Me njëqind plumba përtokē të kanë shtri
Dhe në tē pamën tënde
Ulën për kryeshëndoshë...



KOT MUROSĒM GRA...

Kot murosëm gra... ndër ura e kala
Dhe rritëm jetimë me tambël prej guri
Dhe  Kënga për Rexhën sa bjeshka u ba
Dhe ende dalin dreqër
Nga ai bark prej druri...



KËNGA PËR NJË KËNGË...

Tash e njëqind vjet
Krushqit rrethit malit

Edhe, Rexha i Lokës
Tek vithet e kalit

Herë ndërrohën këngëtarët
E re shkruhet kënga...

Po gjithëmonë e njejtë
Tradhtia edhe dhembja...



VJERSHA E VJERRUR MBI V...

Vajin e vrarë të vashave... e vranë
Vranë vreshtën e vjelur... vjeshtën e verbuar
Vargjet i vranë dhe vjershat
Vajtorët e vjetra... duke vajtuar

Të vdekurit ndër varre i vranë
Edhe vëllanë
Vranë vitin e vonuar...

Vrafshin veten vrafshin
Vrasësit e vërbuar...




LUTJA IME... URIMI IM...

Aty ku mungon sonte ndonjë
Zbrite o Zot një ëngjëll ti

Në sytë tonë te mirë mos le më lot
Bukën e përditshme falna edhe n'mot

E lirë le te endet Liria

Mjaft më... gjak e lot...



E BANI ME VAJ DHE QIELLIN...

( Për të madhen Fatmira Breçani )

Tek Liqeni i Zanave vashat ndalën vallën
E prapa Gurit të Shpuem Halili pyet legjendat

Kalave sot pse u lëkundën bedenat

Kroje e currila pse shtyhen mes veti
Ku të mbytën diku në Valbonē a n'gjeti

As dallgët me turr pse s'po i gjuan deti

Edhe zogjtë e malit tek erdhen prej Deçani
Kur e nisi kēngën Fatmaira Breçani...

Dita e nata thonë nuk donin me u nda
Pëllumbat u kurthuan atje pēr hava
Valbona shtyente valēt 
E valēt s'rrinin brenda
Valēt e Valbonën i ka shitue kënga...

Zhdirgjet historia malit edhe fushës
Me atë zë tiskë bash si krismë e pushkës

As syzeza më nuk kjante mbi dērrasē veku
Pas shtatë bjeshke thonë  qenka shkri orteku

U hutuan lisat u rrënqeth krejt mali
E bani me vaj qiellin... Fatmira Breçani...
Shkruani një mesazh...

Furtunë nëpër Kosovë (Nëntë poezi)

Naim Fetaj



SI LUTJE...

Ma gjeni një vend e më bëni meit
Më zgjoni pastaj
Kur të çlirohemi krejt...
Kur të më zgjoni
Veshmëni si dhëndërr
Por mos më thoni
Ende jemi ëndërr...




QENKA ZHDJERGUR BJESHKA

Kur i morëm këmbët ishte ende tym
Kam ecur si hije mbi skeletin tim
Tè kam lënē në varr... vallëzova përmbi ty
Po m'i kanē pështyrë fytyrën me gjithë sy
Krejt stinët tash dergjën përmbi mua
Gjak pikon çdo gurrë e çdo krua...
Qielli pikon gjak vjeshta edhe vreshta
E ku nuk pikon gjak...
Ec e gjej dy rrjeshta...
E ti më thua
Qenka zhdjergur bjeshka
As një zog për be
Nuk po ta zë vjeshta...




PËR VJERSHAT E MIA...

Si kalit të egër... në qafë i rrija vjeshtēs
Bukurinë e vodha... krejt ia fala vjershēs
Netëve të zeza kur më dilnin në pritë
Vetë rrija në terr... ato i qita në dritē
(Sa shumë kam kënduar
Kur ishte e ndaluar...)
Ngapak i shkreti kam vdekur çdo ditë
Atyre u kam dhënë shpirt...
Një jetë të tërë me shpirt nēpër dhëmb
Mes dimërash i ngujuar atyre u dhashë këmbë
I qita mbi mua... i qita përmbi re
Si pēllumba të egër tash
Shprushin stinë të re...




BILBILI

U trishtua i gjori se iku kjo verë
Tash vajin edhe këngën e marrin ca tjerë
Sorrëshkina e korba e kukuvajka
Që ndjellin sall kob... këngës i bëjnë lajka
Na la gojëhapur në sqep e mori verën
Bebëzat e qiellit i shprishte sikur erën
Do të gjej ai vend do t'a gëzojë këngën
Si furtunë si shi neve na e la dhëmbjën
Kokën e la pas...mbrapa i mbetën sytē
Kush i këndon kobit... i plaçin të dytë...




FURTUNË NËPËR KOSOVË

Pas shiut të madh
Tjera re të zeza
Më mbyllën në shtëpi
Sa keq kur nga dritarja
Shikon vetem zi
S'i kam frikë rrufetë
As nuk më trembin retë
Të zezën e urrej
Kur kotet mbi këtë jetē
As verē nuk bëj me gojë
Derisa të del ylberi
Ne myku na mbuloi...




MES DËSHMORËSH

( Me rastin e ri-varrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit. )

Kur flini ju të qetë
Natën shihen zjarre
Kur gjakun tuaj e fshinë
Ne u kthyem në varre
Si Zezonë të re e sollen hatanë
Juve u prenë në besë
Ne krahet na i thanë
As vend pēr varr... s'na lanë
Askund një copë diell
Për ne
Asnjë ditë e mirë...
( Hala hekur hanë me dhemb ata
Se janë të shtirë..)
Veç sillet e sillet dhembja
"Për krushqit e ngrirë..."




KUR IKIN ZOGJTË

Kur ikin zogjtë e rrallohën poetët
Mjerë ajo stinē që pa këngë mbetët
Dielli e hëna e kanë lidhur kokën
Të përgjakur kështu kur e shohin botën
Lotët e qiellit do t'a zhbirojnë tokën...




LETËR NËNËS NË VARR

Kur tē vdesim ne.. do të ngjallën të vrarët
Malēt do të zhdjergën ...do tē dēshmojnë
Malet...
Qysh u vranë ata...
Qysh po vdesin të gjallët...
Nënë moj nënē
Nënën na e kajtën të marrēt...




ZINXHIRI ME GJAK

Një zinxhir i ndryshkur e i larë me gjak
Këmbë e duar na i lidh... thuajse merr hak
Si dimer i egër kacavjerrë përjetē
Frymēn po na e zë ky zinxhir i shkret
Aq thijas kraheqafe
Që e lidhëm vetē...

Montag, 7. Januar 2019

Poezia e Naim Fetajt lidh nyjat e kujtesës

Poezia e Naim Fetajt lidh nyjat e kujtesës autoriale mē parë se në figura e diskurs, në biigrafi e histori njerzish që perfaqësijnë, ashtu siç gjërat i përfaqësojnë njerëzit kur ata nuk janë më.
E lidhur me traditën e poezisë së Kosovës, ne vargje të përqendruara dhe në ligjërimin e prerë ambiental, kjo poezi hapet në semantikën dhe në rrjetin e asocimeve poetike përnjēherē dhe direkt.
Lidhja me biografi njerëzish, e bënë atë poezi mimetike të rastit e të perkushtimit, shenja këto që shenojnë të folur më parē kolokvial, se të lidhur në qerthuj semantikë të përthellë.
Vetë figurat e kujtuara, edhe pa u bërë ligjërim e zbulojnë një ideilogji të shkrimit që s'do të bëhet politikë e shkrimit, por ligjerim i lidhur me figurat e mëdha apo me figurat e shpirtit.
Fetaj kujton, sepse është i kujtueshëm, pastaj bjen tek elegjia, sepse kujtimet i ka të rënda.
Një elegji e shkruar në liri, është poezi që zbulon shpirtin dhe rrezaton butësi përballē egërsisē.

( Kujtim Shala, për poezitë e vëllimit të dytë " Terrinē përtej diellit", Prishtinē, 2013 )

Sonntag, 6. Januar 2019

Poezia e Fetajt, poezi e dhembjes dhe e mallit.

Poezia e Fetajt, një zë origjinal, një autobiografi e dhembjes dhe mallit të pashuar

  • Naim Fetaj, ‘’Vezullimë thinjash’’, poezi, ShB ‘’Beqir Musliu, Prishtinë, 2015

Shkruan: Maxhun OSMANAJ

Në vend të biografisë

Poeti Naim Fetaj(1961), i shfaqur në sofrën e pasur letrare tash e katër dekada, nuk ka vrapuar pas vëllimeve të shumta poetike,por me tre librat poetikë; ’’Yjet bëjnë rojë" (1987) i nderuar me çmimin’’Hivzi Sulejmani’’, si libri më i mirë i autorëve të rinj, ‘’Terrinë përtej diellit’’ (2013) i nderuar me vendin e parë në konkursin tradicional letrar ‘’Azem Shkreli për mërgatë’’ në Gjermani, dhe vëllimi i fundit poetik’’Vezullimë thinjash’’ (2015) ,ka krijuar një themel të fuqishëm,të padiskutuar vlerash estetiko-letrare.Përballë një plejade të poetëv të viteve ‘8o-të, Fetaj sjell një origjinalitet paksa specifik,then tabu dhe klishe të mëparshme, sjell një zë sa original aq autentik, sa i kursyer, aq i thjeshtë i mbarsur me një filozofi që mjeshtrisht lidh kohën-historinë me dramën kolektive të popullit shqiptar.Zëri i poetit është dhembje,është mall, është këshillë,është herë-herë kushtrim,por në tabanin e arealit krijues, mjeshtria proverbial e percjell cdo poezi.Shkurt, poezia e tij është burrërore, elegjiake-epike, po edhe lirike.


Takim me poetin - poezinë

E njoha para më shumë se tri dekada e gjysmë, qoftë fizikisht si student letërsie, por më shumë si krijues. Më shpesh u takova me vargun e tij, sesa fizikisht, ngase në’’ trokitjet’’ e para poetike hynte në portën e madhe të poezisë guximshëm që tërhoqi vëmendjen, qoftë të lexuesve, qoftë të kritikës letrare. Ai u lajmërua si një penë e re, por që shpërfaqte një pjekuri në varg,në ide, në porosi, në shprehje dhe mendim paksa më të avansuar nga disa që shkruanim. Një zë burrëror, por edhe guximshëm dilte para penave tashmë të njohura; Teki Dervishi, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Shaip Beqiri, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Agim Vinca e ndonjë tjetër, pa i permendur elitën e poetëve kosovarë të viteve ‘6o-70, ku tashmë ky bënte pjesë në plejadën e sukseshme të viteve’80-9o të me disa nga emrat e njohur; B. Caprici, B. Avdyli, T. Desku, F. Tasholli, R. Sylaj, S.Bashota, S. Havolli, N. Kelmendi, S. Fetiqi, I. Aliu, M. Avdyli, I. Syla, B. Dabishevci e shumë të tjerë që njihen si brezi i Republikës,sollën një zë më një kreativitet dhe vendosen nga një gur në kalanë e madhe poetike. Aktet dramatike të kësaj dekade dhe fati tragjik me thyerje të mëdha të fatit të popullit shqiptar u përvijuan tek secili poet në forma dhe mënyra të ndryshme. Duke u ndodhur përballë kësaj gjendjeje,ku poeti s’kishte tjetër armë urtësie, pos vargut, në vitin 1991 kur qielli dhe toka e Kosovës u mbulua terrinë sic e permend autori shpesh këtë fjalë, poeti li larguar me dhunë nga pushteti pushtues-serb, lë Kosovën dhe kërkon mbijetesë rrugëvet e botës, në Gjermani ku tash vepron dhe punon. Duke lexuar dhe përcjellë krijimtarinë poetike të këtij poeti origjinal, të talentuar, rrjedh pyetja si për kureshtje; më shumë kurbeti i vodhi muzën autorit, apo më shumë kurbeti i dhuroi dicka në jetë. Na duket se më shumë i ‘’vodhi’’, ngase ai nuk reshti se shkruari,por duket se kurseu veten dhe nuk vrapoi pas titujve sic disa. A ishte dëshirë apo koha i doli në mes… ku ta di?! Por një gjë gati secili kritik letrar ka vërejtur se këto tri vëllime poetike për katër dekada vlejnë shumë më shumë se disa me dhjetra libra…!


Tri vecoritë e artit poetik 
(Thjeshtësia, proverbialja dhe etno - psikologjia)

Vëllimi poetik ‘’Vezullimë thinjash është i strukturuar në tetë cilke ku përfshihen 81 poezi. Poezia e Fetajt komunikon me kohën ku dominojnë indet poetiko-tematike me elementet filozofike, sociale, shoqërore, etno-psikologjike ku indi nevralgjik i dhembjes dhe mallit përvijohet mjeshtrisht gati në cdo poezi. Komunimimi i heroit lirik, është komunikim herë sir rëfim, herë si këshillë, herë si gjykim, por të gjitha këto i mbulon kupola poetike e filozofisë se shprehjes poetike. Në vargjet e Fetajt takohet e shkuara dhe e sotmja, koha në mes e gërshetuar me dhembje dhe mall. Heroi lirik herë i takon sociales, herë epizmit, herëtragjikës, ku përmes rrëfimit poetik shpalos dramën qoftë autobiografike për të dalë në atë kolektive. Në këtë dramë jetësore merr pjesë edhe autori, ku shprehet: ‘’Këngët e djalërinë,/i lashë në Prishtinë /…dhe dashurinë, / Rininë / tanket ma grinë…,/ Tash rrugëve të botës / E ndi pleqërinë / Fillikat i vetëm / E gjëma e fisit tim / Edhe lutjet m’I nxin..’’/(Skicë për autoportret) Kjo poezi mund të jetë skicë,tregim apo mund bëhet roman. Autori shpalos tri faza të jetës;rininë-dashurinë, pjekurinë, pleqërinë rrugëve të botës. Pra një autobiografi e biografisë se dhembshur, një filozofi mjeshtrore me thjeshtësi dhe efektivitet stilistik. Poezia e Fetajt ka urtësi, burrëri, por edhe dashuri. Elementi etno-psikologjik i veshur dhe ndërtuar mbi tabanin popullor e mbulon gati cdo poezi, ndër më të theksuarat janë; Skicë për një poemë, Vajtimi i ri etj. Komunikimi i autorit me kohën, me vendlindjen,me figurat e kombit, me te shkuarën, me vendlindje, ku dhembja dhe malli elegjiak me njerëzit e vendlindjes ështeë aq i zjarrtë, sa sikur një magnet tërheq tharmin e etjes për ata që autori ka etje dhe respect.Ky mall elegjiak, qoftë haptas apo tinëzisht e mbulon indin nevralgjik të cdo vargu të themi. Thjeshtësia në ndërtim, thjeshtësia në shprehje janë vecori të artit poetic të këtij vëllimi. Një vecori tjetër e vargut të Fetajt qëndron në proverbialen, në cdo poezi hetojmë shprehje që i afrohet fjalës e urtë. Pra cdo varg ka maturi fjalësh, ka kursim fjalësh dhe është ‘’kalli i pasur me grurë poetik’’. Në ciklin Shumë ëndrra pak këngë, autori shpërfaq dramën personale dhe kolektive të një kohe në vendlindjen e vet në Strellc, ku thotë; ’’Bora deri në shokë…e burrat lidhur për arra/ Lidhur e krejt të ngrirë / As të gjallë as të vdekur’’/ (Arrat e zeza në Strellc). Këtë dramë e ruan në këngë rapsodi,Rrahman Imeri,:Tema e mërgimit është ajo që kaplon shumë vargje,shumë poezi. Duket se autori këtë plagë e mban me veti kudo si një trastë -kujtimi, si një plagë në trup që s’ka shërim asnjëherë. Rrëfimi për kurbetin ,nganjëherë kalon në këshillë; psh. ’’Veç emigrant lum baca / Mos u bëfsh kurrrë / Si unë …mos pafsha / Rri aty../ Rri lum baca / Më mirë një vit…ndër ato mrize / Se rrugëve të botës..gjithë jetën si qyqe’’ / (Letër nipit tim Norit). Rrugëve të botës është togfjalëshi që autori e përdor shpesh në vargje;këtë gjë e bën për efekt psikologjik. Edhe motivi social apo nota sociale kalëron në shumë poezi dhe sikur ka shenja të një kohe sikur të Migjenit na kujton ndonjë poezi. p.sh ;’’ A do argat zotni’’, ku në mes tjerash shkruan; ’’Me njëmijë lutje zgjohem / E për n jë ëndërr bie / Me dy –tri zhele / Arnoj cdo dashuri / Do bukë e ha disi / As helm nuk kam me pi / Lëre ti shekullin njëzetenjë’’. Pra me një thjeshtësi paraqet një filozofi dhe fuqi poetike. Poeti nuk guxon ta harrojë historinë, t’i harrojë personalitetet qoftë familjare; babai, vëllai, halla apo personalitetet historike që lanë një gjurmë krenarie si; Ibrahim Rugovës, Jusuf Gërvallës, Zahir Pajazitit, Isë Boletinit, Sali Cekajt dhe poetit të njohur,Azem Shkrelit. Me vargje të shkurtra hetojmë një poezi metaforiko-ironike në shumë poezi, psh; ’’Në besë po të flas e nuk dua me të rrejt / As lule s’të solla se i pshurrin qentë’’ (Bisedë sy me sy) (Zahir Pajazitit). Satira dhe ironia groteska shigjeton aktualitetin grotesk në disa poezi; ’’Në ankand kemi dale/Vec marrëzi shesim/Shesim e… vetë e blejmë’’. Një tjetër poezi ku autori na shpërfaq një gjendje cfarë jemi, një gjendje pakënaqësie ku thotë; ’’Na mundën na mundën kryetulet / Pshurranat dhe xhuxhët / Stina e tyre paska ardhur’ ’(në cilen stinë qenkemi). Autori aludon tek ata njerëz që zhvatin këtë shtet,që hanë dhe rjepin cfarë munden. Këu qëndron nota e ironisë. Andaj, nuk ka akte dhe skena dramatike te këtyre dy dekadave ku nuk e tërhjek poetin duke I shpalosur qoftë haptasi qoftë në mënyrë të tërthortë apo të nënkuptuar. Sikur vargjet e Fetajt janë nganjëherë histori e vargëzuar, por gjithnjë në lidhjen sentenciale me shprehjet popullore qe janë një pasuri gojore, një nektar nëpër kohëra dhe breza duke I ruajtur në mënyrë fanatike, pra poeti shkel në tabanin e fortë popullor, si alfabet I parë I trashëgimisë se popullit. Gjuha e pasur figurative, figurat letrare; metafora,krahasimi, epiteti, satira, antiteza i japin një stil dhe fuqi shijes estetiko-letrare poezisë. Me kënaqësi autori përdor shprehje popullore, ndonëse herë-herë i ik normës letrar, duke përdorur një gegërishte të ëmbël, por ato shprehje nuk ia ulin fuqinë shprehëse poezisë, veç ia shtojnë bukurinë e shprehjes poetike.


Kritika për poetin

Poezinë e Fetajt e ka përcjellë kritika letrare, por ka ende mundësi të shkruhet më shumë, ngase vargjet e autorit provokojnë për një interpretim më të thellëfilozofik. Më poshtë po sjellim disa recensione të shkurtra nga disa krijues-kritikë;
‘’Poezia e Naim Fetajt lidh nyjat e kujtesës autoriale,më parë se me figura e diskurs, në biografi e ‘’histori’’ njerëzish që përfaqësojnë,ashtu sic gjerat i përfaqësojnë njerëzit kur ata s’janë më. Një poezi personale, madje autobiografike, ashtu siç duan të jenë përherë diskurset lirikë’’ (Kujtim Shala).

*’’Naim Fetaj kur e kur me tone elegjiake e kur e kur me tone triumfaliste këngëton për një serë temash e motivesh jetësore’’ (Ragip Sylaj).

*’’Poezia e këtij poeti,që ka si bazë të gjykuarit e urtë, shndërrohet vetëvetiu në poezi sentenciale ku gërshetohet filozofia tradicionale e etnikumit me filozofinë moderne të jetës dinamike’’ (Faruk Tasholli).

*’’Vezullimë thinjash’’ vjen si flladitje e tokës për të shtuar begatinë e bukuritë e atdheut. Nëpër këto përvijime artistike, vargu I poezisë sa vjen e merr kuptimin sa racional, po aq edhe shënon e saktëson dokumentaritetin e ngjarjeve me të cilat ka jetuar e bashkëjeton Naimi; në shkrirjen e mallit për dashurinë që ndjen në të gjitha ecjet e tija’’ (Nexhat Rexha).

*’’Ky poet sikur me dy krande e ndez zjarrin poetik. E në këtë zjarr dalldisen figurat poetike e shpërthyeshëm del mendimi rrezatues që të befason. S’ke se si të mos thuash se poezia e mirë thuret edhe me pak fjalë,sidomos kur janë fjalë shpirti,shpirt që digjet për një fjalë e për mungesë të asaj fjale kur e do koha e ku e ka vendin’’ (Adem Istrefi, redaktor i librit ’’Vezullimë thinjash’’).

Poeti që me dy krande ndez zjarrin poetik

Shkruan: Adem ISTREFI

Rreth Naim Fetajt dhe vëllimit poetik, "Vezullimë thinjash"

Nganjëherë se pse më duket ky Naimi i Fetajve si më moçëm se unë e sikur përkulet mbi mua e po më pyet: A u vrave, baco, si atëbote kur u rrëxova dhe e përgjaka mjekrrën në oborrin e tij. Nganjëherë si moshatar e nganjëhërë si vëlla më i vogël i them në vesh: Si është e mundur që me Naimin jam takuar vetëm tri herë! 
Njeherë qenkemi takuar në Belgjikë,njëherë në Gjermani e herën tjetër në Zvicërr. Dhe as një gjysëmherë në Strellc, aty ku u lindëm te dy.
S’them se patëm fat që u lindëm këtu, se tjetërkund nuk mund të lindnim. E kush lindet në Strellc, sado larg tij degëdisin këmbët, kurrë s’mund të largohet krejtësisht prej tij. Mbetet si në ëndërr natë e ditë e veç kthimin e kujton…
Prandaj si të përbashkët këtë ëndërr, fat e patëm. Secili më ndryshe ia ndërroi gishtat fyellit të vet.
Secili më ndryshe e pa këtë ëndërr dhe më ndryshe e rrëfeu.
Ngjajmë ngapak e secili me vetëvetën ngjajmë.
Ka një vrullimë rrëmbyese ky këngëtim i tij. Ky poet sikur me dy krande e ndez zjarrin poetik. E në këtë zjarr dalldisen figurat poetike e shpërthyeshëm del mendimi rrezatues që të befason. Në këtë befasi përfshihesh pastaj e para teje sikur zgjerohet hapësira.
S’ke se si, asesi s’ke si të mos thuash se poezia e mirë thurret edhe me pak fjalë, sidomos kur janë fjalë shpirti, shpirti që digjet për një fjalë e, për mungesë të asaj fjale kur e do koha e, ku e ka vendin.