Samstag, 21. September 2019

Fetaj, poet i revoltës, i këngës dhe i dhembjes.

(Naim Fetaj “Më lanë edhe pa këngë“ SHB “Beqir Musliu”- Gjilan, 2019)

Shkruan: Maxhun OSMANAJ

(Poet i kursyer)

Sivjet bëhen plot tridhjetë e dy vite, kur poeti strellcjan, Naim Fetaj botoi librin e tij të parë poetik “Yjet bëjnë rojë” (1987) dhe do të vazhdojë së shkruari dhe botuari pa ndonjë nguti të madhe: “Terrinë përtej diellit” (2013), “Vezullim thinjash” (2015) dhe vëllimi më i ri , “Më lanë edhe pa këngë” (2019).Shumë poetë i nxitë dëshira për të botuar; te Naimi ngjan e kundërta. Te çdo lexues dhe krijues rrjedh pyetja: pse për dyzet vite krijimtari letrare, vetëm katër vëllime poetike?!- A nuk deshi vetë, a shkroi më pak nëpër vite, kishte mungesë frymëzimi apo vargu e ndali të piqet vetë si pemët në kohën dhe stinët më të mira?! Ndoshta koha do t'i fletë lexuesit dhe kritikës. Sido që të jetë, te Fetaj vlen parimi cilësor dhe jo sasior. Ai ruan parimin se çdo gjë vjen në kohën e duhur, në laboratorin krijues nuk duhet botuar pa u filtruar mirë e mirë. Mu për këtë parim, për modernitetin, trajtimin, laryshinë dhe fuqinë bukurisë së artit poetik të Fetajt, vepra e tij është cilësuar nga kritika si vepër që qëndron kohës, jo në rërën e kohës që një erë e lehtë mundë t'ia humbë gjurmët, por vepra e tij ruhet në shkëmbinjtë e kohës që asnjë furtunë a stuhi nuk mund t'ia shlyejë gjurmët e ndritura letrare-stetike, etno-filozofike. Ai, aq sa frymon kudo qoftë, në cilën tokë apo ambient qoftë, ka frymëzim, ka maturi, ka pjekuri,ka shpërthim,por ka edhe qëndresë. Në përgjithësi, thuaja në të gjitha vëllimet poetike lidh tradicionalen me të sotmen. Fetaj, tabanin popullor e ka krua të pashtershëm bashkë me pasqyrën e përditshmërisë, i lidh aq organikisht, bukur dhe ndërton një varg sa popullor ,aq edhe modern. Pra, poezia e tij ngritet si kullë a kala mbi tabanin popullor dhe mjeshtrisht gërshëton modernën, modernitetin aktual.


(Revolta, kënga dhe dhembja, trinom tematik i shpirtit të pakënaqur)

Vargu i Fetajt është i thjeshtë, po aq i pjekur, po aq filozofik dhe proverbial. Brenda dy kohëve ndërton të nesërmen. Brenda filozofisë së vargut qëndron mesazhi kryeneq - revoltues, si thirrje, si protestë, si dhembje, si këngë apo si qëndresë. Çfarë do të ishte akcila poezi po mos t'i kishte këto vlera!? Bazuar në semantikën e vargut, çdo poezi mbulohet nga shpirti shërthyes i revoltës. Revolta është alfa dhe omega, veriu dhe jugu gjeografik i temave shumëdimensionale që shpërfaq autori. 

Në poezinë e Fetajt kalëron etnografia, psikologjia, filozofia popullore, filozofia e mendimit, filozofia e kritikës. Revolta e autorit ka arsyen dhe ngritet në tabanin e shumë pakënaqësive të përditshmërisë. Revolta e autorit nuk është e çastit, është revoltë e kohës, revoltë e jetës. Para asaj galerie të jetës, nuk mund t'i mbyllë sytë pa shfaqur ndjenjën e pakënaqësive. Vargun e ka mjet shpërthyes. Mesazhi i vargjeve duket si një fshikullimë, therje, ndonjëherë shpoti në funksion estetik. Poeti është shpirt paqësor: ” Nuk duam plumba… nuk duam prita/Pas lufte pastaj krisi zezëdita”(Pas lufte, fq.5). Librin e hap me titullin Poezia pas lufte. Vargu i tij kërkon paqe, jo plumba, jo prita. Autori nuk thur poezi me zor, me porosi. Ai thur çfarë i thotë mendja, çfarë e udhëheq dashuria njerëzore, fisnikëria. Po cili është mesazhi i revoltës së autorit? Ai mesazh shpërfaq një dinjitet të njeriu të lirë që shpeshherë ky dinjitet bie në lajthitje nga njerëz të klaneve, grupacioneve dhe pushtetarë. Më lane edhe pa këngë! 

Po cilën këngë e kërkon shpirti epiko-lirik i autorit? Kënga për autorin është jeta e lirë, e dinjitetshme, pa imponim, pa prita, pa ndërskamca. Kënga në këtë rast simbolizon këngën e shpirtit paqësor. Robëria nuk është vetëm fizike, por edhe shpirtërore nga njerëzit, pushtetarët, hilëçarët. Ndonëse tani Kosova është e lirë pas një shekull robërie, tani bijtë e vet pushtetarët ia ngulfasin frymën e lirisë, e keqpërdorin atë gjak, aludon poeti. Përmes vargut ai kërkon një jetë të fisme, të qetuar, paqësore. Kënga e tij është këngë për dinjitet, por njerëzit ia vranë këngën, ëndrrën. Edhe titulli simbolik-metaforik “Më lanë edhe pa këngë", flet shumë. Pra, tabori i hileçarëve, puthadorëve, sërvilëve, pseudoatdhetarëve, i njerëzve keqpërdorues të lirisë nuk janë të pakët. Liria është gjaku, liria është atdheu, liria është dinjiteti. Kënga e Fetajt ka edhe notën sociale. ”Nuk kërkonim shumë… veçse pak miell/Krushq e këngë kur të hynim dhëndërr/Pranë verës këndonim/E flinim mbi të mbjella/I gëzoheshim vjeshtës/deheshim mbi të vjela/Po se si kthente dimri/ E na ngrinte n'rremba (fq.18) (Si ëndërr disi…) Fetaj kërkon ruajtjen e dinjitetit të poetit si zë i kohës dhe i shoqërisë. “Për poetët erdhi kohë e vështirë/Ta këndojmë të kaluarën / Trime të mirë / Rreth dreqit të bëhen ushtarë/Me ohoooooohooo e oiiiii/Nuk niset kënga e mbarë/Kjo kohë nuk është hiç për vjersha/Se zymtësinë e tyre po e end vetë vjeshta/Vjershat si po shkruhen nuk i do kush/Poeti oborrtar mbet si qeni n'rrush “(Kohë e pakohë për poetët “ (fq. 19). 

Lirika e poetit është dëftim dhe meditim; në realitet është pasqyë e kohës ku mund të shihemi të gjithë. Është metaforë e pakënaqësive. Me dashuri të thellë i kthehet epikës dhe lirikës, lidh kohërat me të sotmen. Shkon te Gjergj Elezi, Alia, kthehet te Gjergji legjendar dhe vjen te Agimi i Lirisë (Agim Ramadanit)Çdo poezi a varg, është vepër në vete. Fetaj e kupton në thelb maksimën e Lasgushit të madh se një poezi e mirë artistikisht, është një vepër e tërë. Poezia e tij është kolektive, por edhe personale. Aty gjejmë edhe “autobiografinë” e tij në vargje ,në Strellcin e dashur, në fëmijërinë e dhimbjes dhe krenarisë. E sotmja, sidomos e pasluftës e mban peng. Moskuptimi i lirisë, keqpërdorimi i lirisë nga disa, është më shumë se revoltë, fshikullimë: “Ti…liria ime…më ndjek hap më hap/Më vrave më e vret… të vdekur më do prapë/Me njëmijë zagarë më qite përtej diellit/Liri kur i thosha bukës e miellit/Si mac, e zezë u katrrise/ Mes meje e qiellit” (fq.66), (Rekuem për lirinë).Vitet e rënda të cilat i përjetoi ai dhe populli shqiptar i ndërlidh mjeshtrisht në vargje si proverbial: ”Në një kohë të keqe erdha në jetë/ Kur ishte zënë edhe dielli/ Tevona ra një bore e kuqe/E u skuq edhe qielli/E di…dy fjalë atë botë ishin/Baba dhe mielli” (Skicë për autoportret, fq. 67)Baba dhe mielli janë simbole të shtrënjta, pra, atësia dhe jeta. Autorit nuk i ikën as vitet e 80-ta: “Pranverën e parë pas te tëdhjetës/ Me gjak e lamë/Shumë ëndrra kishim shumë dashuri/A njëmijë e sa tanke na rrinin përbri/Në pranverën e parë pas te tëdhjetës/Si sizifi kemi vazhduar/Drejt majës së ëndërruar” (Drejt majës së ëndërruar, fq.68). 

Librit i paraprin poezia pas lufte. Ndahet në tri cikle poetike: Kohë korbash, Mbi dënesjen tonë, Dhembja pikon veç nga zemra. Në këtë vëllim poetik janë përfshirë njëqind e gjashtëmbëdhjetë poezi. 


(Fetaj, zë i kohës dhe historisë.)

Fetaj është zë i kohës dhe historisë. Atë shpirtërisht e mban gjallë kujtesa historike: vendet, ngjarjet, fatet. Ato janë reference kujtese, referencë dhembjeje, referencë krenarie. Ai është bir i Strellcit, bir i Kosovës, bir i Ballkanit të përgjakur, bir i Evropës hileçare. Liria është drita e shpirtit, drita e mendimit, drita e kujtesës, dinjitetit, drita e dhembjes dhe krenarisë. Ai e di që historinë e bëmë vetë, por kurrë s,e shkruam ne: “Me gjak e mbush këngën/ Po kënga ku mbet/Historinë kurrë s'e shkruam vetë” (Historinë kurrë s'e shkruam vetë, fq.71). 
Një nga poezitë më të arrira, përkushtuese është edhe poezia; ”Tash e njëzet vjet” Për Kosovën si këngë a elegji… (fq.80), ku shpërthen: Sa herë që erdha sa herë që jam kthye/Shpirtin po ma hanë…njëmijë elegji. 
Poeti ka afro tri dekada që jeton në mërgim dhe pas luftës, çdo ardhje-shkuarje ishte një zhgënjim për poetin, një mesazh metaforik na shpërfaq me fuqinë e shprehjes përms vargjeve. Fetajt nuk i ikën nga mendja dhe dhembja dramat e popullit shqiptar: Çamëria, Tivari na mbetën si varre-si varrë Tivarr, Ti-varr, Ti-varrë, një simbolikë dhembjesh e përjetshme. 
Një ndërtim poetik në artin e nderimit dhe përkushtimit është poezia “Letër dëshmorëve”, ku Brenda saj shpërthen zhgënjimi pse i mashtruam, ”Sërish iu gënjejmë… se na mbyti malli/Ju nuk zgjoheni më/ Ne vdisem për së gjalli” (fq. 90). Ndërsa cikli “Dhembja pikon veç nga zemra” është cikli përkushtues për figurat kombëtare-atdhetare siç janë: Agim Ramadani, Enver Maloku, Nezir Istrefi, Jakup Ferrin, vëllain e vet, Agimin… 
Libri përmbyllet me njërën nga poezitë më të realizuara në aspektin ideor ku shpërfaqet dhe portretizohet një nënë që kërkon të birin e zhdukur. Shpirti i kësaj nëne të dhembshur simbolizon mijëra nëna, që kërkojnë bijtë-bijat e tyre nga lufta e fundit në Kosovë. Kjo poezi është revoltë e shekullit pas luftës dhe masakrave që ushtroi pushtuesi dhe makineria vrastare sebe, gjenocidin që shkaktoi kundër mijëra shqiptarëve të pafajshëm. “Që njëzet vjet e ka endur dhembjen/Që njëzet vjet mallkue e ka këngën/Ah, ky vaj i saj…Të ther..të prêt.. Të vret/Dushk e bar në mal…edhe kjo i thau/E fushës dënesja i bie si një det… ”(Portret i një nëne që kërkon të birin, fq. 130). 
Ky vëllim poetik mbetet si përmendore e revoltës, dhembjes dhe përkushtimit, pasqyrë e pasluftës për luftën, lirinë, pa-kënaqësië, zhgënjimin.


( Ndërtimi metrik, gjuha dhe figuracioni stilistik)

Poezia e Fetajt ka veçantinë e vet në ndërtim dhe metrikë. Autori shpeshherë nuk e ruan konvencionalën. Vargu i tij ka liri shprehjeje të mëdha funksionale. Herë është varg i lirë, herë dy vargëshe. Herë një strofë, herë pak strofa, por në to flejnë mendime të thella, që zgjohen nga lexuesit. Poezia ka rimë, por Fetaj ndërton edhe poezi pa rimë, ndonëse e ruan mesazhin metaforik. Thuaja të gjitha poezitë ruajnë indin tradicional. Meditimet poetike i ndërton në formën e shprehjeve proverbiale-filozofike-popullore, si ajkë e mendimit të mençur shqiptar. P.sh. “Si qeni n,rrush”/Me vaj n,buzë”, “Na morën nëpër këmbë”, “Për faqe të zezë”, “As pus, as dri”, “Hekurin me dhëmbë e kemi ngrënë” , “ oi…,oi…duke ngritur peshën emocionale të vargut, ndërsa nga figurat stilistike mbretërojnë : metafora, simboli, krahasimi, personifikimi, thirrja, etj.Poezisë së Naim Fetajt do t'i hynim në hak vetëm me një vështrim panoramik, ngase vetëm një poezi e realizuar e tij, është një vepër e tërë. Vargu i tij i qëndron çdo kohe dhe do të lexohet-interpretohet, vlerësohet me adhurim dhe shije të hollë. Ai botoi pak, koha do ta ruajë gjatë. Arti i leximit dhe vlerësimit do të merrë dimension të ri.

Dienstag, 10. September 2019

Sadik Krasniqi: POEZIA DHE REVOLTA E POETIT N. FETAJ

Naim Fetaj, "Më lanë edhe pa këngë“, ShB „Beqir Musliu“ 2019

EPITAF PËR NJË KOHË

Më buzëqeshin ftohtë e më duan meit
Për birë të kavallit i shtinë dhe lumenjtë

Valle përmbi varre çdo ditë e çdo natë
As njerëz as hije as t' gjallë as lugat

Ah kjo stina e tyre
Shekulli i gjatë

*Në këtë aktualitet të vërshimit gjithnjë e më tepër të antivlerave kudo dhe gjithfarësh, ndjehesh i gëzuar të hasësh në ndonjë vlerë të mirëfilltë artistike. Fatbardhësisht, në këto rrethana, Naim Fetaj na vjen me librin e tij të ri "Më lanë edhe pa këngë“, libër ky me poezi që duhet lexuar me vëmendje dhe endje të veçantë. Libri i ri i Fetajt ështe një qasje etike përmes esteikës poetike ndaj realitetit të deformuar, devalvuar rëndë dhe tragjikisht nga ata (oligarkia politike)që zhveshën njeriun e këtij ambienti e të kësaj kohe nga çdo gjë, madje edhe nga vetë ajo që është ndër më sublimet siç është kënga. Megjithatë kënga e poetit, që është poezia, shkruhet guximshëm.

I gjithë libri i këtij poeti eshtë një mllef i revoltuar, revoltë që manifestohet përmes poezisë.

Naim Fetaj përmes librit të ri është në një farë mënyre një Llengston Hjus, i cili me anë të poezisë luftonte dukuritë e zeza të kohës. Hjuz porosiste poetin e kohës: "Këndoji këngët tua të errëta, frushkulluese“. Këtë e bën bukur edhe Naim Fetaj me një intuitë, përvojë, njohurie dhe ndjeshmëri të lartë artistike. Edhe pse lënda strukturohet përmes tre cikleve: “Kohë korbash troket“, " Mbi dënesjen tonë“ si dhe "Dhimbja pikon veç nga zemra“ , librin e karakterizon një unitet motivor, tematik e poetik. Ky unitet tematik shfaqet përmes variacioneve dhe ngjyrimeve të cilat i shquan një përjetim emocional shumë i thellë i autorit. Në librin "Më lanë pa këngë“ shpesh vërehen mbindërtime strukturore por edhe figurative nga sentencat proverbiale të oralitetit poullor, natyrisht gjithherë me një mëvetësi e mjeshtëri autoriale që të mahnit. Andaj në poezitë e këtij libri gjejme ngjarje, situata, fjalë e sentenca metaforike unikate që e bëjnë
këtë libër të veçantë.

I tërë libri është ndërtuar në formën elipsive me një dendësi premisash semantike të shoqëruara me një semiotikë të pasur. Në këto poezi shpesh gjejmë demonizëm, mallkime deri në ironi pezhorative, nga se të tilla cilësi kanë shkaktarët e këtyre situatave dhe ngjarjve që bëhen motiv në këtë libër. Por në këtë libër hasim edhe emotivitet, nostalgji, ndieshmëri , dhembje e pikëllim të autorit, sidomos në ciklin e fundit që është cikël përkushtimor kushtuar, të afërmëve, miqve, martirëve e luftëtarëve të lirisë së Kosovës, shumicën e të cilëve i kishte njohur personalisht autori.

Gjuha poetike në poezinë e këtij libri është e pasur e ndërtuar përmes rimave dhe një ritmi të bukuri tingëllor sa që disa poezi të duken si këngë andaj titulli i librit na del "Më lanë edhe pa këngë“ të cilat do lexohen me shumë kënaqësi estetike nga lexuesit dhe adhuruesit e poezisë së mirë.

* Le të jetë kjo vetëm një mbresë fillesatare, si përshëndetje, urim dhe falenderim për mikun tim poet Naim Fetaj për librin që më dhuroi!

Shefqet Dibrani: LIRIKA EKSPLICITE E NAIM FETAJT


( Naim Fetaj, “MË LANË EDHE PA KËNGË”, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, faqe 136, ISBN 978-9951-760-19-5 )

Në lirikën e sotme shqipe, Naim Fetaj hyn si një poet i spikatur, me vargun eksplicit (të qartë), dhe me porosi përmbajtjesore.

“Kompasi më la… e vetë e theva qafën/ Sot e atë ditë… s’e gjeta Itakën”, janë këto dy vargje të shkëputura nga poezia “AUTOBIOGRAFI”, faqe 125, që demonstrojnë opusin e tërësishëm poetik, që manifestohet si një autopsi për vetveten, nënën, atdheun dhe të tjerët. Kjo poezi është një radiogram, është një gjetje fatlume, është një mbushullim lirik përplot melankoli, një lirikë e larë kudo me lot, e çarë me gjëma e dënesje. Kjo që ka shkruar Naim Fetaj, është një poezi ku do të gjejmë lot e këngë përzierë si gotë me verë, mesazhe përmbajtjesore e porosi për jetën, mllef poetik e protestë intelektuale, po më shumë manifestohet si këngë epike të ngjizura në përmbledhjen më të re “MË LANË EDHE PA KËNGË”.

Pa dyshim këto krijime e vërtetojnë këtë konstatim, ndërsa poezitë i japin vlerë lirikës së sotme poetike, sidomos kur shkruan se “Iku dhe kjo verë/ Shiu edhe vjeshta/ Dergjen poetët mbi vargje/ Mbi vargje e vjersha”, poezia “REKUIEM PËR POETËT”, faqe 118. Me një fjalë, janë lirika artistike që e bëjnë autorin më të dalluar ndër poetët e dalluar, të cilët me përkushtim shkruajnë poezi që lexohen me pasion. Vargu i këtyre poezive është mjaftë i ngjeshur dhe ka një formë eliptike të rrëfimit[1].

VETË E ENDËM NATËN

Dhe ikte një ditë e vinte një tjetër
Nata më e thinjur nata më e vjetër
Kot murosëm gra… ndër ura e kala
Vetë e endëm natën
Me njëmijë hata
Që atëherë me fajin tonë e rritëm
…shitojmë natën e vajtojmë ditën
(Faqe 17.)

Jo vetëm aspekti eliptik, por në poezitë e librit ka një alegori e cila lidhet me mallkimet tona, për të cilat u zë peng bota dhe mbetën legjendë si robi për dhembjet tona. Në anën tjetër sikur kanë zbuluar një zakon të largët, sado i shëmtuar, por duket se gjeneza e dhunës lidhet me sakrifikimin e detyrueshëm që detyrueshëm binte vetëm mbi gratë?! Si duket kjo legjendë shekullore prej kohësh ka prekur gjëmat e dhembjeve tona, për të cilat as sot s’kemi guxim të hulumtojmë, nga frika se zbulohen veset e marrëzishme të gjinisë sunduese kundër asaj poshtërueses që mbetet gjithmonë e diskriminueshme.

Poeti Naim Fetaj, si rrallë kush poezinë e mbyllë me varg i cili jep mesazh të fuqishëm në njërën anë, kurse në anën tjetër, metaforën e lidh edhe tek një fjalë e vetme, tek një varg përtej të cilit nuk mund të vazhdohet, pasi ai në mënyrën më artistike, në formë hiperbolike e mbyll vertikalisht kuptimin e atij mesazh përmbajtjesor, me porosi të qartë, përmbledhës dhe po aq lirike. “Vjershat si po shkruhen nuk i do kush/ Poeti oborrtar mbet si qeni n’rrush”, poezia “KOHË E PAKOHË PËR POETËT”, faqe 19. Vërejtje kaq të drejtpërdrejt nuk kemi has gjëkundi, por e thënë në mënyrë lirike disi përpihet, megjithatë elita intelektuale duhet ta marrë si vërejtje serioze për të mos u skllavëruar nga interesi, për tu shndërruar pastaj në pronë të paluajtshme për oborrtarët, se “E zezë është vdekja… thuaj/ Kur vdes për së gjalli”, poezia “PËR VRASËSIN TIM”, faqe 22. Sille kah ta sillesh, lirika më të këndshme zor se mundemi me i gjetur, prandaj para se me hulumtuar është më mirë me pranuar se Naim Fetaj është poet i lindur, i cili më shumë se kushdo tjetër stërhollon mendimin artistik, padyshim një shembull i mirë në lirikën e sotme shqipe!

Këtë konstatim po e ilustrojmë me dy poezi përkushtimi, e para shprehë revoltë e mallkim ndërsa tjetra dhembje e miklim që manifestohet si metamorfozë për dhembjen që ka poeti për mikun e për vëllain, ky i fundit që i paska vdekur më i ri, prandaj e paska mbuluar vargun me kaq zi e me kaq shumë gjëma.

DHE IKTE NJË DITË
(Mikut tim… Enver Malokut)

Dhe ikte një ditë e vinte një tjetër
Vinte një thirrje a një vendim i vjetër
Thirrje kemi kthyer e thirrje kemi marrë
Po askund nuk shkruante:
Kemi për t’ju vrarë…
(Faqe 113.)

Në një motërzim tjetër tejet elegjiak, kushtuar të vëllait i cili i ka vdekur më i ri, përbëjnë jo vetëm gamen e tij prurëse, por edhe atë opusin e një krijuesi që ka sjellë sentencën e ndjeshmërisë, një metamorfozë e përjetimit real që e përshkruan deri në ekstazë dhembjen e cila manifestohet edhe gjatë leximit të kësaj poezie, qoftë si ndjeshmëri ose përjetim deri në shkallë flijimi.

TË MOS VDISJE TI
(vëllait tim Agimit)

Nuk vendosi unë… por po të them diçka
Vdekjen do ta kisha marrë
Rreth qafe në krah
Dhe me gjithë vdekjen isha mbytë në Bunë
Vetëm të mos vdisje ti… më i ri se unë
(Faqe 115.)

Të tjera lirika merren me ironizime sarkastike, veçmas kur atakon verbin politik, por autori përsëri mbetet po aq lirik, i veçantë dhe mjaftë dallues: “Diellin në gji e ruaj me drojë/ Këngën as ujin… kush s’i bëka tojë”, poezia “SI URTI”, faqe 9. Ne e dimë se jeta është sfidë, prandaj disa nga lirikat paraqesin dhembjen si sfidë artistike të poetit ku “Rrathët modern s’i dinte Aligeri/ Të vdesësh për së gjalli… qenka më ferr se ferri”, poezia “DY FJALË SHQIP PËR FERRIN”, faqe 27.

Derisa flijimi për kauzën është virtyt, këto vlera janë virtyte të vlefshme deri në shkallë flijimi. Të mos hamendemi kur nuk dallojmë se kush ka insistuar më shumë për tu flijuar, heroi në luftë për idealin e tij patriotik, apo poeti me përkushtimin e tij kaq lirik, kaq njerëzor, kaq human dhe kaq artistik, e në të njëjtën kohë vargjet kanë një ritmikë, kanë një tingëllimë, kanë një ringjallje, me një fjalë lirika poetike që jetojnë e përjetohen mirë. “Duan të vdesin në këmbë se i këputi malli/ Po vdesin për qyqe/ Po vdesin për së gjalli”, poezia “VALLTARËT E VDEKJES”, faqe 105.

Në anën tjetër vargjet janë me një muzikalitet sikur të ishin këngë, gjithsesi vargu kudo e kahdo në mënyrë hipotetike mbyllet me një mesazh të fuqishëm artistik. Kjo ritmikë e ky muzikalitet të bënë me përjetime mbresëlënëse edhe pasi libri të jetë përfunduar, edhe atëherë kur mbyllen kapakët e tij, në formë imagjinate disa poezi do të sillen vërdallë, ndjenja që përjetohen edhe nëpër ditë të tjera, edhe nëpër natën e errët, sepse struktura e vargut dhe forma shprehëse kanë një kompozicion artistik që secilin e bënë për t’i mbajtur në mend edhe përtej një leximi të rëndomtë, edhe përtej një shfletimi të kujdesshëm, sidomos në tipin e vargjeve: “Në kafen time desh u mbyt një flutur/ Si këngë e vetme dënesja ime e bukur”, poezia “NË NJË QYTET TË HUAJ”, faqe 99.

Poezi kaq koncize moti s’kam lexuar. Nëpër vargje e strofa sikur bashkëdyzohet dhembja dhe qëndresa në një metaforë të vetme, më duket sikur përgjëron me realitetin jetësor të vet poetit në këto rrjedha jetësore. Si përkushtime sado që duken se poeti shkruan për lavdinë e heroit, ai mesazhin e tij e lidh sikur të kishte ngjizje me fatin e një populli të tërë, por në nënvetëdije lidhet drejtpërdrejt me fatin e intelektualit i cili më shumë se kurrë më parë, sot është i përbuzur, t’huajzuar, injoruar e nënçmuar. Natyrisht edhe vet poeti ka kaluar nëpër kohë të rënda, të cilat si duket i paskan dhënë eksperiencë për ta regjistruar dhembjen kaq dendur kaq dhembshëm: “Sytë na bëjnë xixa se dita s’është e bardhë/ Era dhé na vjen e shkruhemi për të gjallë/ Kemi hequr shumë… e jemi duke hequr/ Mizat i ndoqëm a vetë po brejmë hekur”, poezia “…E SHKRUHEMI PËR TË GJALLË”, faqe 103.

Nëpër poezitë lirike, autori është pranverë me lule, është liria e atdheut është ardhmëria e tij. Nuanca të tilla poetike e artistike, ka me bollëk, por aspekti estetik kudo në secilën strofë dhe në secilin varg është pjesë dominante e strukturës artistike, që llogaritet niveli më i lart kulturor i këtij poeti. E ne, qartë mund të shprehemi se ky është Naim Fetaj, poet nga Dukagjini, i cili në poezi ka inkorporuar tërë mençurin proverbiale të së folmes së zonës, me specifika karakteristike të cilat e bëjnë të dalluar dhe mjeshtër në thyerjen e vargut, për të përçuar mesazhit në mënyrë sa ma artistike. “Mbi Bjeshkën e Strellcit… është një gur që flet/ Po gjuhën kush s’ia di… tash e njëmijë vjet// Po një gjë …nuk e ditën kurrë/ Ishte aty guri… a gjaku u bë gur/ /Ndaj rrinë përmbi të/ Zogj a ndonjë flutur/ / Në mjegull rri çdo gjë… pos emrit të bukur”, poezia “GURI I NUSËS…”, faqe 92-93.

Ndonëse nëpër poezi shihet një dhembje e skajshme, duket se poeti nuk ndjehet vet rehat dhe as i lumturuar në kohën kur rrethohet nga veprime të cilat lëndojnë sedrën e intelektualit dhe të qytetarit që jeton në Kosovë, për të cilët frikësohet se do të mbetën “Metaforë e vrarë poetësh/ Në këngë e poezi”, pasi edhe shtresa e intelektuale “Si një lot qepallave mbete/ Lot i ngrirë ndër sy”, vargje që kanë të bëjnë me fatin e Çamërisë, faqe 86.

Megjithatë poezitë kushtuar heronjve, pjesëve të atdheut dhe familjarëve, ose ato të tjerat që shprehin mall, brendapërbrenda kanë dhembje, sikurse edhe përkushtimet dhe heroizma të tjerë mbulohen me sintagmën e “metaforës së dhembjes”, përkatësisht është shndërruar dhembja si metaforë poetike e cila është trajtuar mirë, dendur dhe me korrektësi, pasi siç thotë një varg i poetit na është bërë jeta “Sa pak gëzim… e sa shumë festa”, sepse ”Nata lahet n’gjak… e territ nxi/ Ti Nëntori im… sërish kuq e zi”, poezia “NËNTORI I TRETË”, faqe 85, që dëshmon përpjekjen dhe sakrificën e tërësisë për identitet etnik nacional dhe shtetëror. E kjo dhembje është kudo, preket e përjetohet në forma të shumta, ndërsa dalldisja e aty-këtushme pas lirikave e dashuriçkave është një element i moçëm në poezinë shqipe, që brenda librit është deficit i theksuar, por ato që janë, duken si poezi me interpretim të posaçëm.

E KAM SHKRUAR DIKUND

Dhe vinin vashat e më thonin
A… ti na shkruan vjersha
Një vashë doja unë e ma mori vjeshta
U bë nuse
Pa ditë e pa pritë
(Qiellin me klithma e kam qarë atë ditë)
E kam parë si ëndërr edhe për ditë
Dhe ikën dyzet e sa vjet
Vaji i saj një katund e vret
(Faqe 37.)

Këto lirika mjaftë specifike edhe për kah motivi duken sikur të ishin vello nusërie, vaji i saj që një katund paska vra e shituar, por gjëma e dënesja e saj shkoi mbi re, dhe sikurse velloja e saj që valëvitej nga era e puhiza, dukej sikur po notonte mbi valë e tallaze deti, atëherë kur i afroheshin bregut i cili qetëson zemrat, në anën tjetër krejt në mënyrë magjepse e ka shndërruar metaforën lirike në valë-valë harmonike, kurse gjatë leximit këto lirika shpalosin, përkatësisht zbulojnë edhe vlera të tjera artistike që janë përpunuar me kujdes.

Në qasjen e tij kritike, poeti Sinan Sadiku, ka vërejtur se në poezitë e librit “janë kombinuar natyrshëm, në harmoni të plotë ana semantike me anën figurative dhe muzikore të poezisë, gjithnjë duke e shfaqur shpirtin e pasur të autorit, një shpirt artisti, i zgjuar, autokton, i ushqyer dhe rritur në ambientin shqiptar me këngë, legjenda, balada, vaje, thënie të mençura… pa e përjashtuar aspak edhe letërsinë e shkruar, muzikën dhe artin në përgjithësi”[2].

Nga ky konstatim duket se poeti Naim Fetaj, si gjithë poetët tjerë ka mision, e ai mision është arti, ndërsa arti jeton më gjatë se prodhuesi i tij, prandaj edhe fjala artistike duhet të jetoj po aq sa arti, ndërsa fjalë artistike e varg artistik pa të vërteta nuk ka, të gjitha këto elemente i gjejmë si ngjizje në lirikat e këtij libri.

1.
As nuk ishte dritë as kishte rënë terri
Rreth qafës me dhimbjen
Përbirohej tmerri
Mbi shpatulla na ranë e na e gërditën jetën
Të sëmurit u lodhën… duke pritur vdekjen
Disa i shituan… mes rrugës mbetën
Të lodhurit u sëmurën duke nëmur veten

Edhe atëherë kur shpërthen për realitetin që jetojmë, që për fat të keq është bërë i zymtë dhe pa perspektivë, përsëri ka optimizëm, përsëri ka lirizëm poetik e magjik. Këto qe themi ne janë preokupime poetike që nuk përfaqësojnë vetëm vlerë artistike, por e thonë një të vërtetë tragjike me realizmin e së mundshmes që përshkruhet në poezi të këtij motivi. Poeti vlerën e konsideron art, ndërsa veprimet e shëmtuara bien ndesh me konceptin e tij artistik, janë këto disa arsye pse ai detyrohet të protestojë, për të shprehur pakënaqësinë e cila është revoltë e një poeti që ka kuraje për ta thënë mendimin e tij, ashtu drejtpërdrejt dhe pa ndonjë ekuivokë.

2.
Disa pa duar disa tjerë pa këmbë
Disave u ranë dhëmbët diku nëpër këngë
Mbi gjak e eshtra disa bënë pallate
Vdekjes i ranë në dorë disa… pikën prej shtatë kate
Me hile i nisën dhe këngët për dëshmorët
Shtyhen me bjeshkët
Për një bukë skamnorët

Kjo mënyra semantike e po aq sentimentale është shoqëruar përplot me revoltë, është qasjes specifike ndaj ndjeshmërisë, ndaj pakujdesisë qytetare, si të themi një metabolizëm artistik që shpreh karakterin njerëzor, intelektual dhe qytetar të vet poetit. Andaj këtë poezi e mbyll me vargjet:

3.
Veç kripa s’na duhet tash e s’di sa mot
Bukë e këngë e faqe
I ulim me lot

(Poezia: “SI ËNDËRR E THEM PO ËNDËRR S’ISHTE”, faqe 25.)

Poeti Naim Fetaj, duke jetuar në një vend dhe ambient krejt ndryshe karshi realitetit në atdheun e tij, disa aspekte lirike sikur i ka kompozuar me metodat moderne “3D”, edhe shpërthimet, edhe mllefi por edhe kritikat e ashpra interpretohen në disa mundësi, në shumë mënyra, po me më shumë fytyra, që për fat të mirë i ka shprehur me varg artistik, andaj ashtu siç pranohen të gjitha artet e bukura, edhe fjala artistike pranohet më kollaj, për më shumë kur bëhet fjalë për lirika përmbajtjesore që janë sistemuar si një lloj kronike artistike në një kohë rrëmujë e mjaftë traumatike.

Dreqi e mori botën
E unë në mes
Me njëmijë dreqen linda
Me dymijë po vdes
Dhe ende i them të birit
e dreqit vetë… mirëmëngjes

(Poezia: “KUKAMË”, faqe 33.)

Ose…

Kanë ikur përrallat… ikën edhe këngët
Prej tmerrit i shtrëngojmë dhëmbët
(Buzëqeshjen tonë dhe gazin)
I futëm n’parantezë
Dhëmbë e nofulla i kemi protezë
…për faqe të zezë

(Poezia: “PËR FAQE TË ZEZË”, faqe 34.)

Siç e kemi theksuar edhe në pjesën e fillimit, Naim Fetaj, dallon nga poetët tjerë, për vargun e thyer, për mendimin metaforik dhe shprehjen artistike që ka, po sidomos për gjuhën elokuente që mjeshtërisht e ekzaktësisht e ka inkorporuar nëpër tekstin e poezive.

Më duket si askush tjetër, ky poet e laton mendimin e vet, nuk bjerr kohën dhe nuk shkruan atë që mendon, por e matë dhe mendon mirë atë që shkruan, për të përçuar në mënyrë besnike e mjaftë metaforike mendimin dhe porosinë që ai dëshiron. Ja disa metafora të arritshme e me porosi të fuqishme: “Këngën as ujin… kush si bëri tojë”; “Gaz u bëra para botës/ Gjithë jetën me bythën jashtë”; “E zezë është vdekja… thuaj/ Kur vdes për së gjalli”; “Dielli përherë i lindur është/ Po terri i bie veç marrëzisë sonë”; “Trimat i lash vetëm/ Rrenës duke i kënduar”; “Qentë…, kur bien n’qytet/ Qençe i pshurrin lulet”; “Tash e sa vjet kërkojmë shpëtimin/ A i vrasim gjelat kur ndjellin agimin”; “S’ka pula as zogëza as këngë s’ka përmbas/ Kah cungu i vdekjes… hijes i shkon pas…”; “Një këngë e zezë më sillet mbi kry/ Si polifoni/ Hajde vëlla hajde… armiku im i zi”; “Po kënga ku mbet/ Historinë kurrë s’e shkruam vetë”; “Gogësimë në veri… tërmet në jug/ Hijet e urës vjellin vrer e tug’/ Hija e Evropës mbi Ibër si murg”; “Dhe pëllumbat i vranë…/ Sërish n’gjuhë të nënës/ Ndjellin veç hatanë…”; “Disa as ujin nuk e kanë pirë/ Se u mësuan qençe… duke lëpirë”; “Vajtonim ne e vajtonin lista/ Një det hej e mbuluan plisat”; “Ju nuk zgjoheni më/ Ne vdiqëm për së gjalli”; “Do i blenë… do i tutën… do i vranë/ Liri i thënçin… belbëzuan disa”; “Në kafen time desh u mbyt një flutur/ Si këngë e vetme dënesja ime e bukur”; “Mjegulla bie mbi net/ As dera s’shihet ku mbet”; “Kemi hequr shumë… e jemi duke hequr/ Mizat i ndoqëm a vetë po brejmë hekur”; “Po një gjëmë që të djeg më zi se zjarri/ Është kur Nëna t’vajton për së gjalli”, janë vetëm disa nga metaforat e shumta që shkëlqejnë ndryshëm e thyeshëm nëpër këtë mozaik lirikash eksplicite (të qarta).

Për të mos krijuar një pamje tjetër të këtij vështrimi kritik, mund të pajtohem me konstatimin e të tjerëve se lirika e Naim Fetajt, ka një pamje kristalore të cilën, ta sillesh kah ta sillesh, rrezaton shkëlqim që përjetohet mirë, prandaj për figurshmërinë eliptike, të përpunuara me kaq kujdes, poeti e ka përcjell besnikërinë artistike si mesazhe kuptimplota dhe me porosi specifike, e kthyer në një përmbajtje të gjerë kuptimore.

PAS LUFTE

Zërin e zogjve e vodhëm atëbotë
E i thamë diellit nuk duam lot
Nuk duam plumba… nuk duam prita
Pas lufte pastaj krisi zezëdita
Edhe zogjtë e malit i shitoi shita

Ku të errte nata
Nuk të zbardhte dita
Mbeti dhe kënga
Këmishë mbi njëmijë thika…
(Faqe 5.)

Natyrisht, poezia e Naim Fetajt, është e ndikuar nga zhvillimet që ndodhin në hapësirën që e shoqëron dhe rrethon autorin, ose ato zhvillime janë indikacione për t’ia ngjallur emocionet krijuese, prandaj vlen për ti kritikuar ose për ti ironizuar, edhe kështu përmes poezisë. E ky verb parasëgjithash ka një vlerë artistike për të komunikuar më mirë me lexuesin dhe shoqërinë në përgjithësi. E gjithë poezia e këtij libri është art më vete kurse syzhetë dhe hijet e figurave artistike herë bëhen heronj e herë vrasës të heronjve, jo vetëm kaq por vrasës të së tashmes, të nesërmes dhe ardhmërisë, fenomen ky i cili luftohet edhe përmes kësaj mënyre artistike!

LETËR PA ADRESË…

Ti i vrave zogjtë… ti e vrave verën
Ti më flet për mollët… ti e tremb pranverën
Ti e ndale stinën… ti ma ndale frymën
Ti më flet për erën… ti ma shpove shpinën
Ti më flet për etjen… ti këndon mbi krua
Tash e njëzet vjet… ti po më vret mua
Ti më flet… më flet… ti më flet pa nda
E qielli lotët i këput pa pra…
(Hossana baraba…)
O vëlla… o i jemi vëlla…
(Faqe 53.)

Naim Fetaj, tashmë një poet i konsoliduar e ka të qartë misionin, vullneti nuk i mungon, prandaj lexuesi, sigurisht bashkë me ta edhe unë, presim nga Ai, shoqërisë sonë për ti dhuruar edhe libra të tjerë, të kësaj natyre e të këtij niveli. Sukses Naim be Fetaj!…

St. Gallen, 05.09.2019.
____________

[1] SinanSadiku: “Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike përplot muzikalitet”, Dardanë, 05 gusht 2019.

[2] SinanSadiku: “Shpërfaqja e pakënaqësisë përmes shprehjes eliptike përplot muzikalitet”, Dardanë, 05 gusht 2019.