Poeti përmes vargut të tij adreson te lexuesi i tij fatet dhe fatkeqësitë në situata dhe kohë të ndryshme, të njeriut tonë dhe të vetë vendit ku gjallnon ky njeri.Pastaj, mospajtimin me rrahagjokësit, himnizime dhe balada, për ata që u përjetësuan. Duket se brenda vargut të tij, kompromisi me të keqen dhe shantazhet nuk kanë vend. Përmes protestës së tij krijuese, autori vë në funksion të drejtën, meritoren, barazinë . Kjo nuk do të thotë se poezia e tij ka ndonjë mision politik, social, apo diç të këtij lloji. Ajo thellësisht është lirikë meditative, poaq edhe emocionale e shpërfaqur brenda botës së tij njerëzore. Poeti, në njërën në poezinë e tij, “Pas lufte”, shprehet:
Nuk duam plumba ... nuk duam prita
Pas lufte pastaj krisi zezëdita ....
Kthimi në retrospektivë me tablo të ndryshme, veçmas ato vite të fëmijërisë, jo vetëm që lë gjurmë, por edhe ngacmon ndjenjat tona.
Një portret poetik, poeti e sjell përmes këtyre vargjeve te poezia, “Pak fëmijëri”:
Atëbotë s’ia lëshoja rrugën hënës
Kur më fshihte lotët e m’i lanë faqet
Një dorë si e Zotit ... ajo dorë e Nanës.
Pajtohem se edhe Dante mund të ketë qenë në udhëkryqe të ferr-parajsës. Në këto fatkeqësi ,poeti nuk kërkon të shumëzojë e as tërheq paralele të fatkeqësive nacionale, ndonëse e keqja flet në secilën gjuhë. Këtu kemi një qasje tjetër nga koha Alegerit. Shprehimisht ferri nuk do të mund të ndërtohej, po të mos ishte një rrjet më i gjërë që do ta trasonte nga njëra palë tek tjetra. Në këto inter – skena, qofshin të minimizuara në individ të caktuar, apo të ekspozuara në rreth më të gjërë, sa vijnë e shtohen zërat koral. Në të tilla situata, me një ritëm dinamik, ka të tillë njrëz që parajsën e tyre individuale tentojnë ta ndërtojnë mbi fatkeqësitë e këtyre zërave koral.
Po i sjell dy vargjet e fundit të poezisë, “Dy fjalë shqip për ferrin”:
Rrathët modern s’i dinte Aligeri
Të vdesësh për së gjalli ... qenka më ferr se ferri.
Ndonëse jo në numër aq të shumtë të poezive erotike , megjithatë poeti Fetaj, para lexuesit sjell pak vargje të këtij motivi. Në këtë ngacmim psikologjik, ka një emërues të përbashkët, pavarsisht me çfarë mjete arrin te qëlllimi, është realizimi dhe përjetësimi i dashurisë. Siç mund ta lexojmë tek vargjet e poezisë, “ E mira dashuri”:
Vuajmë e këndojmë ... e vdesim
Veç për emrin tënd.
Poeti Fetaj ka një pjekuri krijuese solide, siç do të shprehej Tomas S. Eliot “Sa i përket pjekurisë së stilit nuk ma merr mendja se ndonjë poet ia ka dal ndonjëherë të zhvillojë përvetësimin e strukturës komplekse“. Në ciklin e dytë “Mbi dënesjen tonë”, konsideroj se poezia e tij ndërtohet përmes semantikës elegjiake. Kjo buzëqeshje e humbur, reflekton dënesjen. E gjithë referenca ligjërimore, konceptohet mbi bastardimin e vlerës në radhë të parë: lirisë individuale, por edhe asaj kolektive.
Ti liria ime ...më ndjek hap më hap
Më vrave e më vret ... të vdekur më do prapë
Shihet qartë se idealet e të rënëve, në të tilla raste edhe u keqpërdoren. U bënë eksperimente nga më të ndryshmet, me të vetëmin qëllim, përfitimin. Edhe më tutje vazhdohet t’u këndohet për tisin e tragjikës të gjithë atyre që flijuan për këtë vend. Në vend që të tkurret gjeografia e dhembjeve, përkundërazi, ajo u zgjerua në hapësirë dhe në kohë. Një emocion të tillë na japin disa nga poezitë e ciklit të dytë: ”Kur ishte Republika e re”, ”Historinë kurrë se shkruam vetë”, ”Baladë e vrarë për qytetin e ndarë”, “Nëpër Ballkan “, “E më flet për lirinë”, “Populli i di” etj.
Poeti proteston fuqishëm përmes fjalës artistike. Inkurajon ata që kanë pastërtinë shpirtërore dhe patriotike të parandalojnë çdo plangëprishës mbi fatin e Kosovës.
Në ciklin e tretë, poeti Fetaj nuk do t’i shmanaget dot atyre që bënë histori të mëdha. Meritojnë të mbetën në kujtesën e lexuesit dhe jo vetëm. Padyshim se Agim Ramadani, ishte njëri nga heronjtë që ndryshoi rrjedhat historike. Poeti e skaliti në vargje poretretin e tij.
Po dita kur lind
E ka emrin tënd.
Këtu nuk kemi pretendime për moralizme të panevojshme. Por për solidarzim, pse jo. Fati i Donjetës, ndonëse ajo e deshti jetën, por tjetërit i pengoi jeta e saj. Kjo gjë është e papranushme, prandaj poeti proteston ashpër, që të tilla raste të mos përsëriten. Këtë plagë që ndodhë të na përsritet në shoqërinë tonë, duhet t’i themi stop. Duket se edhe poeti Fetaj e kërkon këtë përmes vargjeve të tij elegjiake.
“Lamturmirë Donjetë“
Si një zog i vrarë ... kënga ku ka mbetë
Oi ...oi ....oiii ... lamtumirë Donjetë
Cili ishte faji i Almirit, që të përfundoi tragjikisht?! Padyshim kjo dhembje nuk ka kompenzime për secilin njeri normal, por përbindshi i quajtur njeri ia stopoi gjitha ëndrrat e tij. Poeti gjen momente të ndajë pak vargje në mënyrë që t’i ndërtojë përmendore poetike.
“Si epitaf”
Ti shkove i ri ... nuk dite ç’është malli
Mirë që nuk e dite
Si vdiset për së gjalli.
Si përfundim
Poeti Naim Fetaj, nuk synon të bëjë zgjidhje të kauzave shoqërore. Ai synon të bëjë art dhe, e arrin këtë.
Naim Fetaj nuk pranon ujdi me padrejtësitë, kurthet dhe shantazhet. Detyrë e tij është e tërthortë për popullin dhe e drejtëpërdrejtë lidhur me gjuhën e tij; së pari ta ruajë atë e së dyti ta zgjerojë dhe ta pasurojë ( Tomas Eliot ).
Pas leximit të këtij libri, mendoj se poeti ka qenë në ekuivalencë me gjuhën e komunikimit dhe intrepretimit figurativ.