Dienstag, 25. Mai 2021

Lirik modern i metaforave, dhembjes dhe pakënaqësive.


Nga Maxhun OSMANAJ

  
(Naim Fetaj  “Zogjtë nuk ndërrojnë fytyrë “, poezi, SHB  “Beqir Musliu”, 2020)

(Prolog)

Poeti Naim Fetaj, ka 40 vite që guximshëm është lajmëruar në  periodikun letrar; shkruan, boton në evista, në gazeta, në antologji anekënd trojeve shqiptare. Ka katër dekada që ia përcjell artin letrar –poetik. Ka katër dekada që arti i tij më “thërret“ mua, lexuesit dhe kritikën. Katër dekada  krijimtari, pesë libra poetikë të botuar! Dikush do të thoshte pak! Por ky numër ka arsyet e veta objektive dhe subjektive. Koha thotë fjalën e vet! Fetaj e ndjek parimin e cilësisë, por jo edhe të sasisë. Këtë e ka dëshmuar me vite të tëra. Ai sikur shëmbëllen me lirikun e madh shqiptar, Lasgush Poradecin; një poezi e mirë është sa një vepër. Historia e letërsisë, por edhe koha, ka dëshmuar se poeti jeton me vlerën që përfaqëson, përballë kohës, ndërsa te disa krijues, sasia nuk ka dëshmuar gjithmonë cilësinë.Fetaj nuk është poet që la gjurmë në rërë, dhe nga një erë a shi, humbet ajo gjurmë. Ai është poet që arti i tij poetik ruhet tashmë në shkëmbinjtë e kohës, i qëndron kohës, sepse forma, shprehja, tema, idetë dhe mesazhi japin një vend të merituar në “kështjellën” e poezisë shqipe. Ai rri ballëhapur, këmbëkryq në odën e madhe të poezisë bashkëkohore, mbarëshqiptare.


(Zogjtë, nana, metaforë e dhembjes)

Titulli i vëllimit  poetik “Zogjtë nuk ndërrojnë fytyrë”, nga natyra e kuptimit, një fjali dëftore, por në aspektin figurativ kemi një fushë  semantike të kuptimit të dytë, një krahasim metaforik.Një titull sa metaforik aq  filozofik, sepse metafora është kryefigurë e mbarë  poezisë së poetit. Njerëzit mund të ndërrojnë fytyrë, por zogjtë jo! Librit i paraprin poezia “Zogjtë nuk janë si ne“ ku brenda këtij brumi poetik përmes simbolit zogjtë, shpërfaq një filozofi tematike –shumëdimensionale të njeriut tonë, një mesazh të  jetës, rrethuar me kaos, dhembje, por edhe shpresë-dashuri për të jetuar. Në kuptim të parë na duket poezi e peizazhit, por jo, mërgimi, shtegtimi, qëndrimi i tyre reflekton si mesazh i autorit; “Zogjtë nuk janë si ne fytyrë nuk ndërrojnë/Nga mërgimi tek lisat e vjetër kthehen/Të krimbur na shohin dhe këndojnë sërish/Ndoshta na ruajnë nga ndonjë krimb tjetër/(fq.5). Ndërsa pesha e mesazhit bie në dy vargjet e fundit: Pa zogj o Zot/ Ku ka stinë të bardhë… Pra, një nënkuptim, pa fëmijë, pa njerëz, s’ka kuptim jeta. Libri ndahet në tetë cikle: Busulla  e dhembjes, Gaca dhimbjesh nën hi, Kurthinë stinësh, Njëqind vjet dimër, Kujtesë e vargëzuar, Dënesje  jete, Kur puqeshin dy faqe, Pesha e një loti, ndërsa libri brenda vetes ka 127 poezi. Letër nënës në varr i paraprin ciklit Busolla e dhembjes, e cila është ndër krijimet më  të arrira  artistikisht me një strukturë tematike, është poezi e figurës, është metaforë e dhembjes kombëtare, kolektive,personale. Atë  mund ta quajmë poemë, himn, elegji…, për Nënën, Atdheun. Është një vepër e tërë e strukturuar prej nëntë pjesëve, por kanë një vijë lineare të pandarë ideo-tematike. Një krijim i stolisur me një figuracion të pasur, stilistik-gjuhësor dhe shprehje frazeologjike ku kalëron dhembja, dënësja, fshikullima, durimi, dashuria, tema e luftës dhe e pasluftës, përditshmëria. Aty  gërshëtohen filozofia, etnografia, trashëgimia, miti, legjenda, gjeografia shqiptare. Poezinë e përcjellë  një ligjërim-dëftim edhe një  zhgënjim:”Ne po tredhim miza/Ato po brejnë hekur”përfundon me  një përshëndetje:Tung nënë, tung/Gjak po rigon ky shekull,,,(fq.13). Fetaj e stolis mesazhin me shprehje frazeologjike apo sentencë proverbial siç dëshmon edhe në këto vargje të parafundit të poezisë. Ky krijim është arkitekturë poetike në vete. Këtij krijimi shumëdimensional, autori sikur  iabashkon radhazi edhe tri poezi përkushtuese për nënën:”Të kam përkundur në këngë…(Për nënën time) Mungesa e nënës dhe kujtimi për të është një dhembje që e përcjell gjithmonë poetin: Trembëdhjetë vjet pa ty…një  jetë e rëndë/Gjallë të mbajta në vargje…/Të përkunda në këngë(fq.14). Mesazhi i kujtimit, rrëfimit, dashurisë dhe mallit për nënën hetohet në indin emocional edhe në dy poezi të tjera: Diçka e pathënë  për  nënën dhe Tinëz ku dëneste nëna. Naim Fetaj është poet i lindur. Nuk e torturon poezinë, por i jap fuqi dhe ndjenjë. Poezia e tij nuk është e çastit, por e kohës.


(Vokacioni tematk – shumëdimensional i poezisë së poetit)

Në poezinë e Fetajt, dhembja dhe revolta janë kryemetafora të shprehjes. Aty shkrihen artistikisht: pakënaqësia, liria-robëria, atdhedashuria, dhuna, koha e fëmijërisë, aspekti social, toponimia, etnografia, trashëgimia, tradicionalja, liria e nëpërkëmbur.Të gjitha  poezitë e Fetajt i përcjellë realiteti i dhe revoltës shpirtërore. Revolta e poetit nuk është banale, por e pjekur, burrërore.Tema e luftës-lirisë  përvijohen në ciklin Gaca dhimbjesh nën hi. Në këtë cikël ndeshim histori dhe qëndresë. Aty sikur këndohet historia e popullit në vargje tash e një shekull, por në spikamë qëndresa, koha paraluftës, luftës dhe pasluftës. Kulla e jetës….(Për  kullën e Jasharëve), është  poezi emblematike-kurorë, që rezonon qëndresë, jetë, krenari, epizëm, legjendaritet:”Themelet i ka në  gjak/ E kulmin në legjendë/Ajo  është kulla e jetës/(fq.20). Në këtë cikël në tabanin e krenarisë, përmend edhe emra te vendeve, qyteteve që kanë lënë gjurmë të ndritur:Belleja, Prishtina ,,Pranvera në Kosovë, Strellciani im i luftës, Nëpër Dragobi, si dhe dramat që pësoi ky popull, realizuar në çdo poezi:”Krejt mjegull dukej qiellit, po ishte tym i zi…/Shtëpitë rrafsh me tok/Një oxhak përsh’pi…(Gjolla gjaku,fq.44). Ndërsa aspekte të  toponimisë i hetojmë në ciklin Kurthimë stinësh ku tema e luftës i përcjellë me një të kaluar edhe legjendare përshkojnë shumë poezi. Fetaj pasuron poezinë edhe me figura mitologjike: orë e zana. Toponominë e hasim të Lisi i Hocakut…Në Bjeshkën e Strellcit, Valbona, Si vjershë e djegur…mbi një lumë të vdekur (Për  Lumbardhin e Deçanit). Në këto poezi përvijohet legjenderatiteti, figurat mitologjike dhe fëmijëria si shoqëruese e plot mall. Vrasja  e  pëllumbave trishton autorin, botën: Kur vriten pëllumbat/Mos e hap atë derë/Nëse të zë dimri/Kurrë s’ke me pa verë…(Aty ku vriten pëllumbat,fq.54). Kujtimet e fëmijërisë janë kujtime të freskëta  për  autorin.”Historia letërsisë ka dëshmuar së fëmijëria është  shoqëruesja më besnike e autorit” (Resul  Shabani, ExLibris, maj, 2020). “Këndej kah dergjet fëmijëria ime/Sytë mbushën me lot e trupi mornica/Për një çun thatak me libra nëpër duar/Që  binte e zgjohej me sy kah Gjeravica…(Në bjeshkën e Srellcit,fq.55). Ndërsa në ciklin Njëqind vjet vetmi, autori shëtit nëpër dramën  njëshekullore të fatit të copëtimit të tokave shqiptare që nga viti 1912-1913 dhe paslufta ku zhgënjimi shpërthen si revoltë dhe fshikullimë. Paslufta krijoi edhe heronj të rremë:”Ngjitej kah qielli  pas stinës pas motit/Thua kishte kapur lavjerrësin e  Zotit/Mashtruesi që doli nga kafja pas plepit/E  bëri me vaj lirinë..si  fëmijën djepit/Ah… kjo koha e tij/Ngriu orën e qytetit... (Ah,…kjo koha e tij.fq.59). Ndërsa copëtimi i trojeve shqiptare, dramat që përcollën, pasojat, vërehen në poezinë Njëqind vjet na nxiu dimri:”Njëmijë të zeza i bëmë/ E quanim të trembëdhjetën/Sa keq e sa egër  sunduam vetveten…/E thias sa thellë e varrosëm të vërtetën(fq.67). Cikli vijues, Kujtesë e vargëzuar është ndërtuar poezi përkushtuese, familjarëve, dëshmorëve, këngëtarëve, mikes, potetëve: Vallja  e fundit…(Për të ndjerin Selman Fetaj), Atë ditë e sot…(Dëshmorit Agim Kukleci), Dritarja pa ty…(Mikes së rinisë), Im at…, Kur vdes një poet…, shprehet në mes tjerash me një mesazh  filozofik; Toka del prej orbitës së vet/Vargjet vajtojnë ndër vjersha/As dielli me hënën nuk flasin sa e sa net/Kur vdes një  poet…(fq.91), mandej Epitaf për mikun tim poet, Diell me dashuri (Për mixhën tim Haxhi Fetaj), E bani me vaj dhe qiellin (Për të madhen Fatmira Brecani), Mes Dëshmorësh (Me rastin e rivarrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit), Në lotët e një nëne…(Zonjës së nderuar H.P)Thonë se vdiq në këmbë (Për Xhemajl Fetahaj), Gjatë natëzezës(Për SaimTahiraj), Shkruaj për një të gjallë(Për bylbyl Breçanin), Portret pa kornizë (Për Zenun Idrizaj, Për ditëlindjen time, Dregëz mbi dy shekuj… (Femrave të dhunuara gjatë luftës), një poezi që shpërfaq plagë dhembje që kullon në shpirt, një dhunë që përcjell ptotagonisten deri në varr: Pikëpjekeshin lotët si ortek në mjekër/Sa e madhe urrejtja po s’e ndjente kush/I pa do pika gjaku do dushk të vjetër/Botën  flakë e donte vetë të ishte prush…, dhe vazhdon/ Rrinte vasha me sy të ngulur n’tokë/Vasha e dhunuar përgjakte krejt atë mjegull/ Sa e rëndë dënesja…dregëz mbi dy shekuj…(Dregëz mbi dy shekuj ,fq.100) Pesha e mesazhit ëshë e rëndë, më më dëshirë do të bëhej hi e prush vajza e dhunuar se sa të jetonte në këtë botë. Fetaj nuk harron as temën sociale, kurbetin, që e hasim aty-këtu në ciklin Dënesje jete. Ku me një theks të veçantë hetojmë një zhgënjim: Në një  kontejner bërlloku/Një qen e një fëmijë/Fëmija  kërkon bukë/Qeni hante sy…/Mbi gjakun e trashur/Dielli dukej zi (Një peizazh  i zi,fq,110) Fetaj në këtë poezi proteston figurativisht përmes metaforës, epitetit,. Apo të poezia njëstrofëshe Letër Migjenit “Asgjë s’ka ndryshuar..i dashur Migjen/Bashkë me vargjet tua varri s’po na zë/Jeta në fije të holla e vargjet shumë të rënda/Një shekull pas…/As varri s’na lë brënda(fq.105), pra një zhgënjim i thellë i autorit se mjerimi edhe pas një shekulli po na përcjellë me dhëmbët trishtues. Një pasqyrë sociale,një imazh dhembjeje e hetojmë të poezia Pleqtë e lagjës së lënë…Tri ditë të mira në jetë s’i patën/Tri herë në ditë mallkojnë/Që nuk vdiqën të ri e u plakën/ U lodhën uke pritur vdekjen(fq,116) Pra, njeriu kur gjatë jetës përjeton drama shpirtërore, vuajtje, mjerim, kërkon të ndahet nga kjo jetë, pret vdekjen si “dhuratë”. Fetaj e “ngjyrosi“ këtë vëllim edhe me ndonjë poezi të dashurisë, në ciklin Kur puqeshin dy faqe në poezitë: Dashnorët e tradhtuar, Pengu, Mikes së rinisë, Për një ditë shprese, E lumja dashuri, Ti kot i fsheh lotët, Dhe ndoshta s’na ka hije, Pak fëmijëri, Mirë që janë gëzhoja. Si çdo i ri, në këto poezi shpërthen një ndjenjë e çiltër që gjatë jetës secilit i ka rrahur një zemër ta mbajë në shpirt në zemër tjetër dhe shumë dëshira gjatë  jetës na mbetën peng: M’u kujtove moj…sa shumë të pata ndjekur/Si këtë diell vjeshte tash…/E  kurrë  s’të pata prekur /Prapa diellit diku/Jam djegur…jam djegur (Pengu, fq.122)Pra, dëshira e parealizuar, shpeshherë na ka djegur dhe mbetur peng, por autori aq bukur shprehet sa,të gjithë kemi pjesë - hise në këtë dëshirë. Libri  përmbyllet me ciklin Pesha e një loti, ku këtu ndërlidhet tema e mallit, dhembjes, nostalgjisë nëpër viteve, e paslufta me revoltën  mbytur zhgënjim. Copëza të rënda të autobiografisë i gjëjmë nga e kaluara e autorit: Pak gëzime kisha/Nuk pata shumë festa/Pikonte  lehtë si akulli…linte gjurmë për faqe/Si gjollë gjaku dukej/diku ndër një magje. (Lotoj për lotin tim, fq.134) Pra, ky përfundim nuk do koment. Pra, dhembja nuk ndalet dekada të tërë, ajo zhbiron dhe than shpirtin: “Sa shumë që zhbiron dhembja…/ 
Të mirët…/të parët…të lashtit/Rritur ndër legjenda/ E loti s’u tha  kurrë/Prej lotëve na u ngri mënga (Sa shumë që zhbiron dhembja, fq.138). Brenda gjithë kësaj drame shekullore, populli shqiptar arriti të qëndrojë vertikalisht, sepse gjakimi për liri ishte pishë e ndezur në shpirtin e çdo shqiptari. Mbi fatin tonë na goditën tërmete, na i këputën këmbë e duar, por qëndruam: “E s’e ndalëm këngën/Gjakun  e shprishëm/Nëpër botë…/E loti e kalbi mëngën/Dhimbshëm  gjithmonë/Kënduam për dhembjen…/Po s’e ndalëm këngën(S’e  ndalëm këngën,fq.148), qëndresa shekullore na vjen si mesazh i dhënë krenar. Ndërsa poeti “ngjyen” ngapak edhe temën politike që kur është fjala për besëprerët, ai nuk hesht para atyre, por godet  këtë dukuri të ligë”Ah, të mjerët ne…/Edhe zogjtë e malit në besë i kemi pre (Besëprerët, fq.153).


(Gjuha, stili, figuracioni)

Fetaj është poet i figurës. Ai figurës i jap ide, mesazh, formë. 
Fetaj luan me figurën deri në konkretizim-mendim filozofik. Gjuha e tij  figurative pasuron shprehjet, idetë dhe krijon një stil sa të thjeshtë popullor gërshetuar me modernën. Me kënaqësi përdor edhe aty-këtu gegënishtën (tue latue për ju(fq.11), (Qatje,fq.14),(Hala,fq.13). Këto janë veç një pasuri e fjalorit poetik në shprehje të idesë. Poeti ka një minierë figuracioni, pra ai nxjerr nga shpirti  ,xhevahirë dhe diamante shprehjesh figurative-popullore, frazeologjike që lidh mjeshtrisht tradicionalen.Figurat më të  shpeshta të përdorura janë: metafora, simboli (Nëna na la herët,fq.41), antiteza, (në terr, në dritë,fq.155), krahasimi (si një  zog,fq.22), hiperbolë, epitet, anaforë, personifikimi, ironia, anafora, pashthirrma, ironia, shprehje frazeologjike. Metrika e vargjeve të poetit ka një llojllojshmëri ndërtimi. Poeti shkruan poezi të  shkurtra në përgjithësi, duke filluar me një strofë, shkruan strofa dy vargjshe, tri vargjshe të lira, qoftë me rimë apo pa rimë. Brenda këtij vëllimi, autori përdor shumë shprehje frazeologjike që janë nga tabani popullor që pasurojnë shprehjen poetike siç janë: Me tlina nëpër këmbë, më zorrë nëpër këmbë, me shpirt ndër dhëmbë, as verë nuk bëj me gojë, humbëm si shurra e pulës, dhe shumë e shumë të tjera. Ndërsa në kuptim simbolik, poeti përdor herë pas here, korbin, shqiponjën, gjarprin, bilbilin, pëllumbin, fluturën, ndjellakeqin që pasurojnë semantikën e kuptimin poetik.


(Përfundim)

Poeti Fetaj edhe në këtë vëllim më të ri poetik, vërteton rrugën krijuese të një poeti të pjekur me një përvojë të gjatë letrare, por duke avansuar shprehjen poetike në përmbajtje, formë, mesazh. Duke qenë një zë i realitetit në formën e revoltës, zhgënjimit, pakënaqësisë, lexuesit i ofron një brumë poetik në tabanin e historisë shpirtërore-dramatike që kaloi populli shqiptar nëpër shekuj dhe dekada. Një kritik i mprehtë ndaj fenomeneve, që degradojnë vlerat e njeriut. Poeti aq bukur e lidh tradicionalen me të sotmen përmes shprehjeve proverbial, sa semantika e kuptimit të ngjallë, të lë pa fjalë. Rrjedha historike, dramat, luftërat, robëria, liria, përditshmëria, zhgënjimi i pasluftës, janë “stacionet” e poetit ku pushon, kërkon, shigjeton, godet, fshikullon, ironizon. Është poet i vargut të pjekur, i vargjeve të  shkurtra, por i ideve të mëdha.