Sonntag, 6. Januar 2019

Fjala në kërkim të qenies së përjetshme

Shkruan: Nexhat REXHA

Naim Fetaj:” Vezullimë thinjash”, Botoi,SHB ,” Beqir Musliu”, 2015
Poezia si shfaqje e dukuri artistike vjen në zhvillim të konteksteve jetësore, si rrjedh e përjetimit dhe orientimit të imagjinatës preokupuese të njeriut poet. Në këtë korrelacion ngjarjesh e përjetimesh vjen edhe vëllimi poetik “Vezullim thinjash” i Naim Fetajt, me synimin e realizuar për të dhënë e shpalosur botën intime, si parashtrim e kërkesë poetike në ndërlidhjet e gjuhës poetike, si dhe për të shprehur aktualen e përgjithshme në nivel të vetëdijesimit tonë. Duke lexuar librin në tërësi, ai të krijon mundësinë e depërtimit në të gjitha vargjet, të cilat kanë lidhjen e tyre tematike si pjesë përbërëse e njohjes, brengave të autorit për të gjitha pjesët e paraqitura në këtë vëllim.
Poezia e Naimit të krijon përshtypjen e njeriut kërkimtar për të gjetur realen e të ndodhurave në arealin tonë e më gjerë. Se vetë jeta është komplekse me të bëmat e saj, para së gjithash koha edhe ngjarjet lidhin nyjet e jetës. Autori kërkon në vazhdimësi, që këto nyje të krijuara apo të diktuara të zgjidhen në mënyrën sa më funksionale, sepse vetë poezia shfaq e riaktualizon të mundshmen për fjalën e shkruar.
Qasja e autorit ndaj jetës dhe poezisë shkon krahas rrjedhave të përjetimit, si ndjenjë që kërkon të bashkëjetohet më të, këto ndërlidhje artistike kanë kaluar e kalojnë nëpër verditkin e masave të gjëra, për të hulumtuar e prekur me botën shpirtërore të Naim Fetajt.
Vepra është konceptuar në tetë cikle , të cilat komunikojnë bukur në mes vete. Këto ndarje krijojnë mundësinë më të favorshme për lexuesin, sepse poezia si e tillë brenda kopertinave ka fillimin dhe mbarëvajtjen e saj artistike. Mirëpo, tematika e shtruar në të dikton, e jep mundësinë e përjetimit sa më afrues në komunikim me lexuesin e vëmendshëm.
Poezinë e këtij vëllimi e karakterizon fryma e lehtë flladitësi nëpër vargjet e saja, Naimi ka racionalizuar vargun e tij në kombinim e figuracion të arsyeshëm, për t`i dhënë atij strukturën sa më funksionale në finalizimin e tërësisë poetike.
Qenësia e njeriut tonë te jep elementin dominues në të gjitha pikëpamjet tematike, duke i ndërlidhur ngjarjet nga të zakonshmet dhe ato të jashtëzakonshmet. Cilësimi artistik është shtruar në rrafshim e qëndrueshëm, kështu, idetë e dhëna në shfaqjen e gjurmëve pohojnë e kapërcejnë kohët. Ato rrjedhin si ujëvarë në të gjitha stinët e vitit, në këtë kuptim vargu të jep rrjedhën e moteve, të veprimit sa të dëshirueshëm, po aq edhe të padëshirueshëm. Në këto hallka ngritjesh kohore, Naimi në disa poezi shprehet dhimbshëm për pësimet tona, e nga ato pësime sikur i parashtron njeriut tonë rrugëdaljen kah ngjitja e suksesit. Tragjikja nuk është element mitik, por në shumë raste ajo është riaktualizuar, për të mos harruar të kaluarën,të cilën e ka kultivuar e ruajtur gjeniu ynë përmes këngës, e këto theksime të ekzistencës sonë kombëtare kërkojnë për të arritur në vendin, kohën e duhur për brezat që vijnë.
Poeti ndërlidh edhe shkëlqimin, edhe apokalipsin, në këtë shtjellim artistik rrëfehet bukur e kaluara dhe tashmja jonë, e cila kërkon mundësi më të avancuara. Ai e njeh botën reale dhe atë e sjell si përjetim shpirtëror, duke filluar nga jeta e vegjëlisë kur skuqjet e faqeve i përjetojmë të gjithë në një mënyrë të përafërt, e për të arritur deri tek unifikimi i dhembjeve kombëtare.
Vetë jeta në kurbet i ka shqetësimet e veta, njëkohësisht edhe periudhat para kurbetit, për Naimin ato kanë krijuar e ruajtur; dashurinë, plagën, ofshamëm si pasthirrmë me matjen e kohëve përtej kufirit, kur edhe ëndrrat të zgjojnë si kërkesë e meditimit të vazhdueshëm, për të pa vendlindjen me diellin e mëngjesit. Në këto ëndrra vijnë edhe tetë ciklet poetike, të cilat të japin mundësinë e prekjes artistike si përjetim e ndjenjë në tërësinë e parashtruar në libër. Të gjitha këto ndarje të japin gjendjen e veprimit kohor përmes imazhit artistik me tërë problematikën e theksuar. 
Nga pjesa hyrëse e librit “Në vend të përshëndetjes”, të shkrimtarit që i ka munguar vendlindja nga atdheu i munguar, Adem Istrefit e deri te poezia e fundit e këtij libri, lirikat vijnë rrjedhshëm pa ngarkime të tepruara, ani pse malli, e dëshira për të pa ditë më të mira janë flijime të pa përjashtueshme e konvencionale.
Naim Fetaj ka aktualizuar të gjitha frymëmarrjet si rrjedhojë e kujtimeve të rinisë së hershme, kur dashuria fillon e nuk finalizon lojën e atyre ditëve flakë. Në Ciklin e parë “Shpirt i shprushur”, shpalosen lirika të dashurisë, të cilat e rikthejnë njeriun në momente të pa përcaktuara kohore, skena këto që kanë dridhur zemrat e ditëve të ikura, e bashkë me të janë tretur ngjarjet, por ai i rikthen ato për të ruajtur hijen e tyre. Në ciklin e dytë”Me dorë të dridhur”, shpaloset bota meditative e tij nëpër shtegtimet që ikën. Mirëpo, ai ka ruajtur në kujtesë dhembjen, dashurinë e shqetësimet për ato ditë, kur jeta në Kosovë të merrte të gjitha mundësitë e mira. Në vargjet e këtij cikli, Naim Fetaj ka shkrirë edhe elementin e folklorit burimor si përforcim dhe ruajtje të tradicionales e si sforcim kundërshtues nga periudhat e mundimshme, por që në to është brumosur edhe ideali për liri, si në poezitë: ”Vajtimi i ri”,”Skicë për poemë”, meloditë e këtyre këngëve të japin atmosferën e kohës së dhembshme për të cilën dalin mesazhet poetike të Naimit. Në ciklin e tretë “Shumë ëndrra e pak këngë”, rikthehen kujtimet si kaptina të veçanta familjare, të cilat bartin bagazhin e konkretes, ato të japin kuptimin shpërndarës në aktualitetin e përgjithshëm të atyre viteve, ngjarjeve me ofshama e pritje me ankth. Pritjet e nënës për djalin e saj në ushtrinë e padëshiruar janë skena të mallit e brengës. Pastaj elementi social në poezinë “Këngë zie për babën” , të japin ngjyrimin e një kohe të bukës, që mungonte aroma e saj. Në ciklin e katërt” Klithmë e përvajshme”, klithjet e njeriut poet nëpër kohë kanë bartur prushin nëpër duart e mendjet e tyre, kurse autori kërkon që këto ditë rrëqethëse, të mos përsëriten,kurse ditët që janë me ne, kërkojnë ndryshime ndër breza, për një pamje a veprim më të mirë për vendin tonë. Në ciklin e pestë “Veç një zog”, radhiten poezitë me motivin shoqëror- refleksiv, sepse jeta në atdheun e autorit, ka krijuar paradoksin e ngjarjeve dhe ai kërkon, e bënë thirrje të zhdukë këtë mall të munguar për lirinë e ëndërruar të Kosovës ashtu siç e ndjen ai. Në ciklin e gjashtë”Dhimbjes ku t`i fshihem s`kam “, në poezinë”Në cilën stinë qenkemi” ai shprehet me vargjet:

Telat e marrëzisë na këputën shpirtin
Shpirti si të mbahet pa këngë
Sa shumë u vonuam
Dhe këngën harruam

Na mundën na mundën kryetulët 
Pshurranat dhe xhuxhët

Stina e tyre paska ardhur
Fq.80. 

Malli për atdheun përvëlon dhe për këtë arsye shpërthen revolta në disa poezi. Ai kërkon që ky lëmsh i të ndodhurave me ikje të njerëzve nëpër rrugët e botës, po e shëmton shtetin tonë. Këto bredhje kanë dhembje që qojnë në absurditet, e përgjegjësitë janë të njeriut faktorizues të kësaj kohe. Në ciklin e shtatë”Gjithkah më ndjekkan këta zëra” shtrohen dilemat përmes figuracionit të dendur të ironisë, sikur u bëmë përrallë para botës me veprimet tona, e qortimi është i arsyeshëm për spektrin e gjerë politik të vendit.
Kështu, ai shtron kërkesa për dalje nga kjo amulli e pakuptimtë, e cila prodhon shumë ide. Ide këto që nuk kanë destinimin e dëshirueshëm, kurse atë e shqetësojnë këto plasime jo funksionale edhe në këtë fillim shekull. Në ciklin e fundit të tetin” Kapërcime degë medegë”, ai përmbyll librin me brengën e mallin për atdheun, ai mallkon kurbetin dhe ata që ndikuan në këtë jetë larg vendlindjes. Vargu i fundit i poezisë “Mallkim”, dikton kohët sundimtare, pushtuese të viteve të errëta, e që për çdo gjë, që theksohej shqip vriste mendimin e fjalën.
Në vargun e figurave përkushtuese, autori nuk i ka përmbledhur përkushtimet poetike në një cikël të përbashkët, poezitë kushtuar; Dr.Ibrahim Rugovës, Për Jusuf Gërvallën, Me Zahir Pajazitin, Për Sali Çekun, Azem Shkrelit, Hallës sime....Xhevës etj.,i ka radhitur sipas rrjedhës kohore në pikëtakimet e ngjarjeve me lidhshmërinë e motivimit të secilit cikël poetik.. 
Nga të gjitha këto parashtrime e vlerësime të dala nga brendia e vargjeve, vepra si e këtillë rrezaton drite e jetë. 
Pra,vëllimi poetik “Vezullimë thinjash”i Naim Fetajt’ është libri i tretë, që vjen me vargjet e gdhendura e plot gjallëri, për të thënat e të pathënat e kësaj periudhe kohore, kur jeta jeton dhembjen e dashurinë. Në bredhjet e ditëve të gjata, e netëve te pagjumta, autorin e kanë ndjekur; shqetësimet, mallëngjimet, dhembjet, dashuritë e prekura tinëzisht, si dhe nuk e kanë lënë rehat edhe marrëzitë e krismat me jehonën e absurditetit.
Poezia e Naimit në brendi ka të përbiruara edhe vogëlsinë intime, që i numëron reshjet e shiut të vendlindjes, në të gjitha stinët, ajo vjen si përjetim nga kurbeti me mallin e dashurinë, si flladitje e tokës për të shtuar begatitë, bukuritë e atdheut.
Nëpër këto përvijime artistike, vargu i poezisë sa vjen e merr kuptimin sa racional, po aq edhe shënon e saktëson dokumentaritetin e ngjarjeve me të cilat ka jetuar e bashkëjetuar Naimi, në shkrirjen e mallit për dashurinë që ndjen në të gjitha ecjet e tija.
Kend nuk e kanë ndjekur frymëmarrjet e vendlindjes me të gjitha të mirat, e të këqijat, që mund të mbeten si pjesë e kujtesës në jetë, ato janë ruajtur me kujdes e dashuri edhe te Naimi, e si të tilla ato të japin e të marrin imazhin, pastaj të japin kënaqësinë e leximit, të përjetimit më poetik e shpirtëror .
Në këto depërtime e ruajtje aktualitetesh, poezia e këtij vëllimi artikulon e brumos vargun e tij në cilësi e kreativitet, për të dhënë qëllimin, idenë e mesazhin konkretizues në harmonizimin e realizmit sa më origjinal të tërësisë poetike.
Borges në librin “Ligjërata “, rolin e lexuesit me poezinë e cilëson kështu: ”Poezia është takimi i lexuesit me librin, zbulimi i librit”.*
Këto ndjesi e këto takime i gjejmë gjatë leximit në vëllimin poetik “Vezullimë thinjash” të Naimit Fetajt, poezia si tërësi reflekton mendimin estetik, sepse ajo të afron me fjalën e saj si parashtrim e kërkim të ruajtjes së qenies sonë deri në përjetësi.

*Jorge Luis Borges: ” Ligjërata”, Botoi “Pika Pa Sipërfaqe”, Tiranë, 2013, fq. 85.

Maj, 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen